Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 25 prillit, dy partitë kryesore në vendin tonë PS dhe PD kanë shpenzuar shuma të mëdha lekësh.
Kështu, sipas deklarimeve që janë bërë nga partitë në KQZ, rezulton se kryeministrit Edi Rama i ka kushtuar mandati i tretë 172 milionë lekë të reja, shifër zyrtare kjo e shpenzimeve që ka deklaruar Partia Socialiste në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve gjatë raportimit financiar.
Sipas raporteve, Partia Demokratike ka shpenzuar 3.6 herë më pak se partia në pushtet dhe fushata i ka kushtuar 47 milionë lekë të reja. Kandidatët e Partisë Demokratike deklarojnë të mos kenë pasur sukses të mbledhin fonde individualisht për të financuar fushatat e tyre, ndërsa socialistët jo vetëm që kanë shpenzuar shumë, por kanë gjeneruar të ardhura, të cilat i kanë lejuar edhe të kursejë 4 milionë lekë.
Vetëm 2 milionë lekë të rinj kanë sjellë kandidatët demokratë në arkën elektorale të partisë, ndryshe nga socialistët, që ia kanë dalë që përmes emrave të tyre në listë, të grupojnë 38 milionë lekë, gjë e cila nënkupton të jenë para të bizneseve apo individëve që kanë sponsorizuar drejtpërdrejt kandidatët e veçantë të Partisë Socialiste dhe jo partinë në vetvete.
Po ashtu edhe anëtarësia e Partisë Demokratike ka kontribuar më pak, me vetëm 10 milionë lekë të rinj, krahasuar me kuotat e anëtarësisë në Partia Socialiste, që kanë dhënë dyfishin e opozitarëve, mbi 20 milionë lekë. Të dyja partitë kanë deklaruar se kanë paguar fatura për konsultime për ndërtimin e strategjive elektorale. Sipas raporteve, Partia Socialiste ka shpenzuar më shumë. 15 milionë ka paguar PS për konsulentët e saj, ndërsa 8.5 milionë ka paguar për këshillime selia blu.
Paratë nuk janë kursyer as për të sponsorizuar materialet e partive në rrjetet sociale. Konkretisht, partia e Bashës ka deklaruar pagesa për median sociale rreth 7 milionë lekë të rinj, ndërsa PS, pak më shumë, rreth 10 milionë lekë.