Bërja e Gjykatës Kushtetuese funksionale ka shtuar dëshpërimin te presidenti Ilir Meta. Edhe pse ndërkombëtarët janë shprehur shumë optimistë, presidenti u shfaq dje aspak pozitiv, ndërsa nuk kurseu sulmet as ndaj diplomatëve. Gazeta e tha pak ditë më parë se KED i ka eliminuar presidentit të gjithë të besuarit në këtë vakancë dhe la në fund dy emra jo politikë. Meta zgjodhi Përparim Kalon, një avokat i njohur dhe që nuk ka lidhje politike. Si duket dërgimi i këtyre dy emrave ka “nxirë” presidentin. Dje Meta u shfaq në një studio televizive, ku lëshoi shumë akuza për Kushtetuesen, ndërsa tha se ajo nuk është funksionale. “2 marsi do të vazhdojë deri në vendosjen e rendit kushtetues në vend. 2 marsi është betejë për të ndalur pushtimin e Gjykatës Kushtetuese, institucioni më i rëndësishëm. Dhe e sigurt që edhe ndërtimi i gjykatës është një proces që ende nuk ka përfunduar. Jo vetëm kaq, por edhe është dëmtuar integriteti i saj dhe mund të dëmtohet dhe në të ardhmen. Pra është betejë që do vijojë në këtë aspekt. Vendi është në një krizë mjaft serioze të legjitimitetit të institucioneve dhe kjo krizë zgjidhjen do e marrë nga sovrani më 25 prill. Ndaj vëmendja duhet përqendruar te 25 prilli, sigurisht përveç pandemisë, që kërkon më shumë vëmendje. Dhe kuptohet që mbas 25 prillit dhe përmes tij do garantohet legjitimiteti i institucioneve dhe funksionimi i institucioneve të drejtësisë”, tha ai.
Shantazhe dhe sulme
Presidenti sulmoi dhe ambasadorët. Falë presionit amerikan presidentit nuk i shkuan në zyrë emrat që i donte dhe si duket kreu i shteti ka qejf-mbetje me amerikanët. Dje ai lëshoi valë akuzash për paraardhësit e Kim dhe Sorecës. “Unë kur isha kryetar Kuvendi kërkova që Kushtetuesja të mos futet në veting dhe më dhanë garanci. U bë krejt e kundërta dhe kjo jo vetëm nga mazhoranca. Kanë bashkëpunuar me mazhorancën dhe segmente ndërkombëtare. Kemi dëgjuar dhe ambasadorët e kaluar që shtonin se është më mirë pa Gjykatë Kushtetuese se një gjykatë të korruptuar. Siç i japin ata atribute të flasin me papërgjegjshmëri të madhe. Por dhe në Afrikë nuk ka mungesë të Gjykatës Kushtetuese”, tha Meta. Por Presidenti ka shantazhuar hapur anëtarët e rinj të Kushtetueses, duke kërkuar që të rrëzojnë zgjedhjet vendore të 30 qershorit. “Një gjykatë që shpall zgjedhjet e 30 qershorit legjitime është e vdekur. Ata që i kanë vënë zgjedhjet e 30 qershorit si kusht e dinë më mirë se anëtarët e Kushtetuese”, tha ai.
Meta kundër Kim
Presidenti ka sfiduar edhe ambasadoren amerikane, Yuri Kim. Kjo e fundit dje tha se Kushtetuesja është funksionale dhe askush nuk mund ta mohojë. Por Meta deklaroi të kundërtën. Po ashtu ai sulmoi prokurorinë duke e cilësuar të kapur nga Rama. “Prokuroria është e pushtuar. Unë e kam thënë që kur u zgjodh Prokuroi i Përgjithshëm i Përkohshëm në mënyrë antikushtetuese dhe kjo solli këtë situatë. Përderisa ti bën një zgjedhje antikushtetuese me qëllim që përmes kësaj të organizosh procedurat për institucionet e drejtësisë së re, sigurisht që i shohim rezultatet. Mbyllen çështjet serioze, nuk hetohet askush për këto çështje, përfshirë këtu edhe përgjegjësit për Kushtetuesen, të cilët presidenti i ka dërguar në SPAK dhe prokuroi prej kohësh. Janë verifikuar një pjesë e tyre dhe nga vetë Venecia si përgjegjës për incidentet e rënda dhe natyrisht që në këtë drejtim për kapjen e Kushtetueses vazhdon. Prandaj nuk kam shprehur asnjë entuziazëm që ne sot kemi një trupë të mjaftueshme për të mbajtur një seancë. Por ne nuk kemi asnjë gjykatë tërësisht funksionale dhe të japë drejtësi në emër të sovranitetit. Vërtet janë 6 gjyqtarë, por ata nuk marrin dot vendim dhe ndahen 3 me 3 apo 4 me 2. Pra duhet së paku 5 emra”, tha Meta.
Kërcënon Ramën
Meta ka kërcënuar kryeministrin Rama sa i takon protestave të javëve të fundit. Rama e akuzoi atë i organizator ndërsa Meta tha: “Ilir Meta nuk godet pa shpine, Ilir Meta godet në lule të ballit. Nuk godet Ilir Meta me kalamaj. U kërkoj falje të gjithëve për trajtimin e fëmijëve, edhe kushte në komisariate skandaloze”.