Pas 25 vitesh bisedime të gjata dhe shpeshherë të bllokuara, Bashkimi Evropian dhe vendet e Mercosur-it kanë firmosur në Asunción të Paraguait marrëveshjen historike të tregtisë së lirë. Ky hap krijon zonën më të madhe të këmbimit tregtar në botë, duke bërë bashkë 750 milionë konsumatorë dhe duke hequr mbi 90% të tarifave doganore.
Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, e cilësoi këtë firmë si një sinjal të fortë për botën dhe si një trashëgimi për gjeneratat e ardhshme, ndërsa udhëheqësit e tjerë evropianë theksuan se, në një kohë kur disa vende ngrenë mure dhe vendosin tarifa, Europa po ndërton ura bashkëpunimi.
Edhe liderët e Amerikës Latine e mirëpritën marrëveshjen me entuziazëm, duke e parë atë si një fitore të diplomacisë ndaj izolimit. Presidenti brazilian Lula da Silva e quajti këtë një përgjigje ndaj politikave izoluese, ndërsa presidenti argjentinas, Javier Milei, gjeti rastin të vlerësonte publikisht rolin e kryeministres italiane Giorgia Meloni në arritjen e dakordësisë brenda Këshillit Europian.
Sipas parashikimeve të Brukselit, përfitimet do të jenë të menjëhershme, me një rritje të ndjeshme të shkëmbimeve tregtare, veçanërisht në sektorin ushqimor, ku do të mbrohen qindra produkte tipike evropiane nga imitimet.
Megjithatë, rruga drejt zbatimit të plotë mbetet e përpjetë dhe e mbushur me pengesa politike. Fermerët europianë janë rreshtuar kundër kësaj marrëveshjeje, duke paralajmëruar protesta masive me mijëra traktorë në Strasburg, pasi i tremben konkurrencës nga produktet e Amerikës Jugore.
Paralelisht me tensionet në rrugë, beteja do të zhvendoset edhe në Parlamentin Europian. Javën e ardhshme pritet të votohet një kërkesë për ta dërguar marrëveshjen në Gjykatën Europiane të Drejtësisë, gjë që mund ta shtyjë hyrjen e saj në fuqi edhe me dy vite të tjera, duke mbajtur pezull një proces që ka nisur që në fund të shekullit të kaluar.






