Krimi Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkur Durrës ka bllokuar mbrëmë një peshkarexhë të quajtur LEON me 50 mijë litra naftë kontrabandë.
Gjatë intensifikimit të kontrolleve në funksion të zbatimit të ligjit, sektori i Krimi Ekonomik ka ndaluar dhe kontrollur peshkarexhën, ku ka konstatuar sasinë e naftës. Janë arrestuar Shpëtim dhe Roland Cani, banues në Durrës, me detyrë përkatësisht kapiten dhe marinar i anijes peshkatore LEON.
Sipas burimeve policore, peshkarexha vinte nga vendet e Lindjes, ndërsa nafta ishte planifikuar për t’u hedhur në tregun e brendshëm. Materialet paraprake janë referuar në Prokurori për hetime të mëtejshme.
Në korrik të këtij viti, policia sekuestroi 80 mijë litra karburant të futur kontrabandë përmes një peshkarexhe në port, ndërsa shpalli tre pesona në kërkim.
Krimi Ekonomik pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkur Durrës vijon kontrollet intensive, duke u fokusuar tek mjetet lundruese.
“Më datë 06.09.2022, pas informacioneve të marra në rrugë operative nga ana e Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në DVP Durrës, pas një pune të mirëorganizuar disa ditore, është finalizuar me sukses Operacioni Policor DIESEL 2, ku nga kontrolli i ushtruar në motopeshkatoren Leon, në depot e brendshme të karburantit të saj u gjet dhe u sekuestrua sasia prej rreth 50.000 litrash naftë kontrabandë, e cila më pas do dilte në treg në shitje të lirë.
Më datë 07.09.2022 ora 02:00 u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve Shpëtim Muhamed Cani i dtl.10.07.1979, lindur dhe banues në Durrës dhe Roland Muhamed Cani i dtl.22.03.1981, lindur dhe banues në Durrës, me detyrë përkatësisht kapiten dhe marinar i anijes peshkatore LEON. Materialet hetimore iu referuan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Durrës për veprën penale “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”, parashikuar nga neni 172 i K.Penal”.