Banka e Shqipërisë, është shprehur që qeveria duhet të miratojë një paketë të re mbështetëse për familjet në vështirësi financiare dhe pensionistët.
Pas përfundimit të paketës së parë, ku shteti dha 3 mijë lekë për muajit prill-maj-qershor, për të përballuar çmimet e larta për këto kategori, qeveria nuk miratoi një paketë të dytë, ndërkohë që produktet e shportës po kushtojnë gjithmonë e më shumë.
“Në gjykimin tonë, qeveria duhet të shikojë përdorimin e hapësirave që ka në buxhetin e shtetit për të ndihmuar ato shtresa të shoqërisë dhe të ekonomisë të cilat janë më në nevojë apo më të goditura nga kriza. Ky proces duhet realizuar pa cenuar parametrat kryesore të qëndrueshmërisë së financave publike”, është shprehur Banka e Shqipërisë për mediat.
Banka qendrore pohon se pritet përkeqësim i gjendjes financiare të familjeve e bizneseve në vend. “Biznesi dhe familjet shqiptare do të ndikohen negativisht nga rritja e çmimeve, aq më tepër për faktin se kjo rritje e shpejtë çmimesh origjinën në tregun e huaj.
Megjithatë, sipas parashikimeve tona, ekonomia shqiptare do të vijojë të rritet gjatë vitit 2022 dhe kjo do të krijojë premisa për rritje të të ardhurave, rritje të punësimit dhe rritje të pagave. Kjo do të kompensojë në një masë të madhe ndikimin e rritjes së çmimeve në gjendjen financiare të bizneseve dhe familjeve.
Sa më sipër, në gjykimin tonë, bilancet financiarë të ekonomisë shqiptare do të vijojnë të mbeten të shëndetshme”, përgjigjet banka.
Banka e Shqipërisë thotë se pavarësisht rritjes së çmimeve pritet që ekonomia të mbetet në trend rritës, edhe pse më poshtë se parashikimet e fillim vitit, por megjithatë të gjitha pritshmëritë janë të rrethuara me pasiguri e që varen nga ecuria e luftës në Ukrainë.
Për të mbajtur nën kontroll inflacionin dhe për të garantuar stabilitet në çmime banka qendrore pak ditë më parë rriti për herë të tretë brenda pak muajsh normën bazë të interesit, duke e çuar në 1.75%.