Deklarata e ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, i cili tha se është arritur dakordësi me Shqipërinë për sa i takon vijës së kufirit detar mes dy vendeve dhe thotë se Greqia do të përfitojë nga kjo 12 milje detare, ka futur në një tjetër betejë Partinë Socialiste dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim, ndërsa PD ka heshtur për këtë çështje.
Kryeministri Edi Rama dhe kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi kanë replikuar me tone të forta sot për këtë çështje.
Pas deklaratës së Ramës që kërkonte durim “sa të shkruhen gjërat e zeza mbi të bardhë në dokumentet e marrëveshjes së re me fqinjin”, ka reaguar sërish kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim.
Monika Kryemadhi thotë se Rama për karrigen e tij shet gjithçka.
“A ka më qartë se kaq?! Ky njeri për karrigen e tij shet gjithçka. Nuk njeh as moral e as ndjesi për atdheun.
Ky njeri pasi shkatërroi marrëdhënien me Greqinë duke prishur Kishat si në kohën e komunizmit, tani fal detin për pak mëshirë nga Greqia. Ky njeri ka shqyer edhe portat e Shqipërisë për të larguar të rinjtë dhe për të sjellë gjithë plehrat e botës .
Dhe në fund e ka të qartë se shqiptarëve nuk u duhet më as deti, as mali, as fushat dhe asnjë pasuri tjetër, sepse kështu si e ka katandisur Shqipërinë dëshira e çdo të riu është të largohet nga vendi. Ky satrap nuk pyet më për asnjë vlerë njerëzore, qytetarie apo atdhedashurie.
Sepse për të ka vlerë vetëm karrigia e tij, për të cilën po paguajmë të gjithë çmimin më të shtrenjtë, atë të shitjes së territorit shqiptar.
Atë që nuk e bënë dot as diktaturat dhe pushtuesit, Edi Rama po e nënshkruan me gjakftohtësi të madhe”, shkruan Kryemadhi në “Facebook”./a.s/dita