Kryeministri britanik Keir Starmer ka njoftuar një takim virtual me përfaqësues nga 35 vende, ku pjesë e diskutimeve pritet të jetë edhe Shqipëria, në kuadër të përpjekjeve për rihapjen e Ngushticës së Hormuzit.
Takimi do të mbledhë kryesisht vende evropiane anëtare të NATO-s, së bashku me partnerë ndërkombëtarë si Australia, Japonia, Koreja e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Përfshirja e Shqipërisë në këtë forum shihet si pjesë e angazhimit të saj në çështjet e sigurisë ndërkombëtare dhe koordinimit me aleatët perëndimorë.
Ngushtica e Hormuzit mbetet e bllokuar nga Irani që prej përshkallëzimit të konfliktit me SHBA-në dhe Izraelin në fund të shkurtit 2026, duke shkaktuar pasoja të mëdha në tregjet globale të energjisë. Si një vend që varet nga importet e karburanteve, Shqipëria ndikohet drejtpërdrejt nga rritja e çmimeve të naftës dhe pasiguritë në furnizim.
Analistët theksojnë se pjesëmarrja e Shqipërisë në këtë iniciativë diplomatike është një mundësi për të rritur profilin e saj në arenën ndërkombëtare, por edhe për të mbrojtur interesat ekonomike kombëtare në një kohë krize globale energjetike.
Megjithatë, mungesa në këtë koalicion e aktorëve të mëdhenj si Shtetet e Bashkuara, Turqia, Arabia Saudite, Kina dhe India ka ngritur pikëpyetje mbi efektivitetin e nismës. Pavarësisht kësaj, takimi konsiderohet si një hap i rëndësishëm drejt koordinimit diplomatik dhe presionit ndërkombëtar për rihapjen e një prej korridoreve më jetike të tregtisë globale.
Që pas nisjes së luftës në Lindjen e Mesme, Irani ka bllokuar Ngushticën e Hormuzit duke krijuar probleme të mëdha financiare për shkak të krizës së furnizimit me naftë në të gjithë botën. Dhe krahas kësaj, nëse lufta do të vijojë parashikohet një “gropë” e madhe në sektorin energjitik. Ndaj, kjo nismë e Britanisë së Madhe pritet me interes për të parë nëse do të ketë sinjale pozitive për rihapjen e këtij korridori jetik të tregtisë globale.




