Emisioni “Repolitix” në Report Tv sjell të pathënat e kryengritjes së armatosur të 14 shtatorit 1998. Ish-kreu i SHISH, Fatos Klosi rrëfen përballë gazetarit Denis Minga detaje të panjohura më parë për publikun, nga organizimi i kryengritjes për të cilin bën përgjegjës Sali Berishën, i kallëzuar edhe në SPAK, deri tek mesazhet që partnerët ndërkombëtarë i dërguan pas tentativës për grusht shteti nga PD. Autoritetet e asaj kohe ishin të përgatitura për një kryengritje të tillë, thotë Fatos Klosi, i cili thekson se po bëheshin gati për tu përballur me një situatë të tillë ku kishte nisur edhe armatimi i Ministrisë së Brendshme, por ende nuk e dinin se kur do të fillonte.
Ish-kreu i SHISH thekson se kryengritja e armatosur ishte planifikuar dhe organizuar prej kohësh nga Sali Berisha dhe se nuk ishte një ngjarje spontane dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit. Klosi thotë se 3 mijë veta ishin përgatitur për kryengritjen e armatosur para vrasjes së Hajdarit më 12 shtator 1998, duke kujtuar edhe “minigrushtin e shtetit” në Shkodër ku u sulmuan disa institucione dhe u liruan 35 të burgosur.
“Po përgatiteshim para se të ndodhte vrasja e Azem Hajdarit. Po bëheshim gati, nuk e dinim tetor kur do fillonte. Ishin bërë gati 3 mijë veta. U shfrytëzua vrasja e Azem Hajdarit. 2 ditë patën në dispozicion për të ardhur, vinin për varrimin e Azem Hajdarit. Ishte një gjë e planifikuar, e organizuar, nuk ishte e rastit. Nuk vjen njeri me antitank në varrim. Ata ja dolën në fazën e parë, morën kryeministrinë, RTSH, ndërtesën e Kuvendit”, tregoi Klosi në Repolitix në Report Tv.
Klosi thotë se u shfrytëzua vrasja e Azem Hajdarit dhe 3 furgonë të mbushur plot me armatime u sollën në Tiranë për kryengritjen e armatosur.
“Ishin 3 furgona të bardhë dhe ishin mbushur me armë, kishte edhe antitank. Një ditë më parë dogjën katin e parë të kryeministrisë dhe ata e morën dhe e shkatërruan. Ishin të sigurt që mund të bënim ç’të donin dhe të nesërmen u bë ajo që u bë. Ne kishim informacion nëpërmjet njerëzve tanë por nuk ishte detyra jonë që të orientonin Partinë Demokratike që të mos e bënte. Ne e kishim paralajmëruar qeverinë që do të ndodhte diçka”, u shpreh Klosi.
Pas sulmeve për disa me orë ndaj disa prej institucioneve kryesore të vendit, Kryeministrisë, RTSH, Gjykatës Kushtetuese, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Kulturës apo Kuvendit, Klosi theksoi se PD u tërhoq pas thirrjeve të partnerëve ndërkombëtarë.
“Ishte një ngjarje e rëndë që mund të kishte përfunduar edhe ndryshe. Policia u tërhoq iku në shtëpi, ishte garda rrotull ministrisë, ata ishin me mitraloza dhe gjuajtën ndaj kryeministrisë. Ka qenë një situatë e rëndë. Ka qenë faktori i jashtëm që i ndali. Ne e kishim parashikuar me kohë, ishte bërë një organizim në Shkodër ishte bërë një organizim. Ishte menduar se ishin 3 mijë veta që po përgatiteshin dhe ishte organizuar nga PD këta 3 mijë veta”, theksoi Klosi.
Grupi i armatosur nuk e gjeti kryeministrin e asaj kohe në zyrë, Fatos Nanon, por ish-kreu i SHISH zbulon se në tavolinë i lanë një plumb, edhe pse thekson se nuk kishin në plan ta vrisnin.
“Nano ishte i rëndësishëm. Mund ta kishin bërë por besoj se nuk ka qenë pjesë e planit, i kishin lënë në tavolinë në plumb si mesazh. Ne se dinim se ku ishte kryeministri atë ditë’, tha ai.
Ish-kreu i SHISH tregoi se të gjitha armatimet që u përdorën në atë kryengritje më pas u vendosën në selinë e Partisë Demokratike, ku zbulon edhe mesazhin e ndërkombëtarëve. Sipas Klosit, partnerët I kishin kërkuar SHISH që të ndërhyhej tek PD dhe më pas ata të përballeshin me drejtësinë. Klosi tha se partnerët kërkuan që autoriteti shtetëror shqiptar të neutralizonte gjithçka që ndodhej në PD.
“Me rekomandimin e partnerëve ne na thanë shkoni tek PD dhe bjerini. Me kërkoi mua ti them qeverisë që është rasti për të ndërhyrë, ata kanë bërë kryengritje të armatosur, në orën 8 e mbyllën tek PD. PD ishte e mbushur me armë, armët që u përdorën atje përfunduan. Propozimi i tyre ishte shfrytëzojnë rastin, merrni PD dhe pastaj për ta do vendosë drejtësia. Nuk e gjetëm mundësinë. Ata u dorëzuan”, tregon Klosi.
Kryengritja e armatosur e 14 shtatorit 1998 ka përfunduar në SPAK. Avokati Idajet Beqiri ka kallëzuar Sali Berishën dhe 9 të tjerë: Genc Pollo, Ritvan Bode, Shaban Memia, Pal Dajci, Ekrem Spahia, Frrok Gjini, Dem Dollapi, Alfons Zeneli, Artur Bejzade etj të cilët thotë ai, duhet të hetohen për kryerjen e veprave penale të “Kryengritjes së armatosur”, “Vepra me qëllim terrorist”, “Organizata kriminale”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.