Nuk është një goditje për Artur Metanin, ILD-në, në vazhdim të “habisë” së kryeministrit Rama, kur menjëherë pas arrestimit të Erjon Veliajt, në mëngjesin e “lutjeve” me parlamentarët e PS tha: “Nuk e di sa është ora, a është zgjuar Inspektori i Lartë i Drejtësisë, se është shumë e rëndë kjo”.
Kryeministri nuk ka përse habitet me skuthin Metani, që po i përvidhet vullnetit të tij dhe detyrës së Inspektorit të Lartë të Drejtësisë, ashtu si e ka bërë kurdoherë në karrierën e tij, sepse e zgjodhi vetë në krye të ILD-së.
Artur Metani është zgjedhur nga Kuvendi i “Kërpëratave” me vendimin nr. 2/2020, me 98 vota pro, ku një ndër më të rëndësishmet ishte ajo e Majlinda Halilajt, deputetes së PD-së së Tiranës.
Çlirim Gjata, në 2019, doli në konferencë shtypi për të dëshmuar parregullsinë e kandidimit të Artur Metanit, dhe kualifikimin e kandidaturës së tij nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) e quajti antiligjor, sepse binte në kundërshtim me Kushtetutën, që nuk lejonte zgjedhjen e një Inspektori të Lartë të Drejtësisë me funksione të mëparshme politike, si ai i këshilltarit. Gjata kishte të drejtë sepse Artur Metani kishte “këshilluar” dy presidentë në karrierën e tij, Alfred Moisiun dhe Bamir Topin. Por askush nuk e dëgjoi Çlirim Gjatën në atë kohë, kur Ardian Dvorani dhe Arta Marku, dy kualifikuesit e Metanit për në krye të ILD, u “respektuan” me 98 vota nga Parlamenti i Kërpëratave me bekimin e Edi Ramës.
Në faqen zyrtare të ILD, lexon emrat e stafit të lartë në ILD. Aty kupton pse ILD “fle” gjumë. Klajdi Dvorani, mban detyrën e këshilltarit në Kabinetin e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë. Pinjolli i ‘kualifikuesit’ të kreut të ILD-së, i biri i Ardian Dvoranit, vetëm 25 vjeç, merret të këshillojë në strukturën që duhet t’u “kallë datën” prokurorëve dhe gjyqtarëve, përfshirë babanë e tij, kryetar gjykate.
Inspektori i Lartë i Drejtësisë (ILD) është institucioni përgjegjës për verifikimin e ankesave, hetimin e shkeljeve disiplinore dhe fillimin e procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ), anëtarëve të Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) dhe vetë Prokurorit të Përgjithshëm. Praktikisht, ILD-ja është çekici i gjithë sistemit të drejtësisë së re. Ndaj saj duhet të ketë frikë jo vetëm Dvorani, por edhe vetë Dumani!
Por skuthi Metani ka zgjedhur të marrë 9 vjet mandat dhe rrogë qyl në krye të ILD, jo vetëm për veten por edhe për ata që rekrutoi aty, sikur ta kishte mencën e familjes.
Kabineti i tij i “qylit” përveç djalit të Ardian Dvoranit ka edhe emra të tjerë të përzgjedhur me kujdes nga kryeskuthi i ILD: Nensi Hoxha, e bija e Artan Hoxhës, rektorit të Universitetit Shtetëror të Tiranës dhe anëtar i Këshillit Mbikëqyres të Bankës së Shqipërisë, këshillon Artur Metanin. Lindita Rusmali, bashkëshortja e Ilir Rusmalit, PD-istit antiberishist të KQZ, këshilltare gjithashtu.
Lista e qokave vazhdon me këshilltarët, Diana Dervishin, bashkëshortja e Besnik Dervishit; Mirela Kapo, bashkëshortja e prokurorit Etien Kapo (nipit të Hysni Kapos); Isida Koka, “shërbetore” e Grupit të punës së Reformës në Drejtësi dhe kështu me radhë i gjithë stafi i ILD-së është kthyer në një mencë qokash ku hahet e pihet me paratë e taksapaguesve të etur për drejtësi.
Skandali i emërimeve në ILD vazhdon me trupën e inspektorëve të ILD, që duhet të jenë 10 Magjistratë dhe 10 Jo Magjistratë. Përveç emrave të përzgjedhur me kujdes që të mos bëjnë asnjë dëm duke zbatuar direktivat e skuthit, skandali qëndron në një fakt që duhet ta bëjë Parlamentin me gjithë kryeministrin të lëvizë themelet e ILD-së.
ILD funksionon sot me 9 inspektorë, pra me më pak se gjysma e numrit 20 që përcakton ligji. Mungojnë plot 11 inspektorë, duke lënë bosh, pa personel kontrollues, një prej shtyllave kryesore të sistemit të drejtësisë, ILD.
Si mund të kontrollohet sistemi i drejtësisë me gjithë prokurorët, gjyqtarët, KLGJ, KLP, SPAK, brenda tij, vetëm me 9 inspektorët “e tredhur” të ILD-së? A është alibi që mungojnë 11 inspektorë apo është një “bombë” juridike me shpërthim të kontrolluar?
Artur Metani nuk e ka patur asnjëherë ndërmend ta bëjë detyrën e kontrollorit të sistemit të drejtësisë, ashtu si 140 deputetët menduan, votuan dhe ndërruan Kushtetutën për këtë mision të ILD-së. Është kjo arsyeja që ILD është kthyer në një shurrtore, ku kalojnë ndonjëherë gjyqtarë e prokurorë për të përmjerë. Asnjëherë ata të SPAK! Është kjo arsyeja që të gjitha rastet e ankesave për gjyqtarë e prokurorë arkivohen me tekniken e skuthit të ILD: kontrollo por kurrë mos dëmto!
Kryeskuthi Metani ka pasur synime të qarta në gjithë karrierën e tij çalamane. Të mbijetojë duke përfituar nga konjukturat dhe njohjet familjare e politike. Ia ka hedhur të gjithëve, pasi asnjë nuk e ka vlerësuar skuthllëkun e tij.
Sot Artur Metani ka një rreth të konsoliduar familjar që vegjetojnë në skutat e pushtetit, ndaj i takon të presë duke “fjetur” gjumë për çdo ndodhë me tallazet politike që kanë afruar. Gjumin e bën rehat në jastëket e rrogave të majme, bashkë me familjen e tij të afërt.
Ada Metani – bashkëshortja – është emëruar Shefe Kabineti në ILDKPKI në 2021, menjëherë pasi Artur Metani u zgjodh kreu i ILD. Para 2021, Alda Metani ka qenë drejtoreshë në AMF, pasi vinte nga një karrierë si punonjëse e institucionit financiar NOA, më pas sekretare zyre në Këshillin e Ministrave.
Eglantina Gjermeni – e motra, ish deputete e PS-së, dhe ish Ministre e Zhvillimit Urban (2015 – 2017), sot është ambasadore e Shqipërisë në misionin e OSBE-së në Vjenë.
Marjan Gjermeni – kunati, Drejtor Departamenti në Bankën e Shqipërisë.
Erik Gjermeni – i biri i çiftit Gjermeni, punonjës i Raiffeisen Bank, më pas Deloitte.
Me një familje të sistemuar më së miri, Kryeskuthi i ILD-së nuk ka përse të luftojë por thjesht të presë duke fletur gjumë. Në një shkrim përkushtues që hap faqen e ILD-së te biografia e kreut të saj, të duket sikur po lexon për një institucion të kthyer në gur varri, me dedikues Artur Metanin që shkruan:
“Kthimi i besimit të publikut tek drejtësia ishte dhe mbetet motivi, që justifikoi ndërmarrjen e një reforme kaq të thellë në sistem dhe Inspektori i Lartë i Drejtësisë, synon përmbushjen e këtij misioni. Personalisht, dua që kur të më mbarojë mandati, të largohem me mendimin që u mundova dhe bëra diçka për këtë vend, vura gurin tim në murin e madh të zhvillimit të Shqipërisë.”
Karriera e kryegjumashit të drejtësisë
-Kryetar i Inspektorit të Lartë të Drejtësisë
-Kordonator pranë Fondacionit Soros
-Ekspert pranë Fondacionit Soros për drejtësinë
-Avokat i Përgjithshëm i Shtetit
-Drejtor Departamenti në Kryeministri
-Anëtar i Këshillit Drejtues në Shkollën e Magjistraturës
-Konsulent pranë delegacionit të BE-së në Tiranë
-Këshilltar Ligjor pranë Presidentit
-Ekpert pranë Institutit për Studime Publike
-Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të Albpetrol
-Anëtar bordi i ZRPP-së
-Anëtar i Këshillit Mbikqyrës të KESH
-Anëtar i Këshillit Mbikqyrës së INSIG Makedonija
-Lektor pranë Universitetit “Kristal”
-Lektor pranë Universitetit “Marin Barleti”
-Pedagog i jashtëm pranë Universitetit të Tiranës
-Anëtar i Bordit të Qendrës së Botimeve Zyrtare.