Analisti dhe gazetari Frrok Çupi, ka komentuar deklaratën e ish-kryeministrit Sali Berisha lidhur me Gazprom. Në një prononcim për gazetën “Sot” ai u shpreh se Berisha me atë deklaratë tregoi se autori kthehet në vendin e krimit.
Sipas tij, ai kishte kërkuar bashkëpunim me Rusinë dhe kjo kundër interesave të aleatëve. “Deklarata e Berishës për Gazpromin bën pjesë në një subjekt ekselent të provës kriminale në drejtësi. E para, dëshmoi se autori një ditë kthehet në vendin e krimit.
Berisha, me guximin se krimi është varrosur, u kthye te vendi. Ai kishte kërkuar bashkëpunim me Rusinë, përkundër interesave të aleatëve”, tha ai. Ndër të tjera, ai u shpreh, se Berisha dëshmoi se qeveria e tij bazohej mbi ryshfetin. Ai theksoi, se SPAK duhet që të filloj hetimin.
“E dyta, dëshmoi që qeveria e tij bazohej mbi ryshfetin dhe vjedhjen, mbi vullnetin e familjes së kryeministrit që paguhej me shuma të mëdha! Berisha vuri mbi gjithçka shumat që merrte për familjen e tij, jo interesat e kombit. Ai hodhi poshtë një marrëveshje me rusët sepse nuk mori prej tyre shumën që i kërkoi për xhepat e vet.
Dhe së fundmi, Berisha dha dëshminë kriminale ndaj vetes; tani SPAK e ka gati dosjen për arrestimin e Berishës për “tradhti kombëtare dhe shpërdorim pushteti për interesa financiare personale”, tha ai.
Sakaq, Çupi u shpreh se armiqtë e stabilitetit si presidenti Ilir Meta dhe ish-kryeministri Sali Berisha e kanë vendin në qeli. Ai theksoi, se ky do të jetë stacioni i fundit i tyre.
“Do të shikojmë sapo SHBA dhe BE të mbarojnë punë me luftën në Ukrainë. Pas kësaj ndryshon bota. Pas kësaj, të korruptuarit, armiqtë e stabilitetit, gangsterët politik, si Berisha dhe Meta, e kanë vendin në qeli.
Modeli i Nurembergut do të jap drejtësi për popujt kundër hajdutëve, kundër vrasësve dhe minuesve të demokracisë. Ky është edhe stacioni i fundit i çiftit Berisha-Meta, të cilët kanë jetuar në të njëjtën flluskë për 3 dekada”, tha ai.
Çupi komenton zhvillimet në PD
Ndërkohë, analisti dhe gazetari Frrok Çupi, ndër të tjera ka komentuar edhe zhvillimet në Partinë Demokratike. Ai u shpreh, se ajo që është duke ndodhur në Partinë Demokratike po dëshmon historinë e saj.
Analisti vijoi më tej duke thënë se, se tani Partia Demokratike ndodhet mes dy rrugëve.“Kjo që po ndodh me Partinë Demokratike po dëshmon historinë e saj, që është histori e një grupimi jo politik por parapolitik, një grupim tribal në të parin e tribusë.
Berisha mbetet në psikozën e tribusë, ai i rrit, ai i mëson si të plaçkisin, ai i zgjedh cili do të vritet kësaj jave e cili muajin tjetër. Berisha është historia e pas viteve ‘92 e Partisë Demokratike dhe fundi i keq i saj.
Tani Partia Demokratike ndodhet mes dy rrugëve, ose të qëndrojë me Berishën dhe të vdesë që sot, ose të rreshtohet nga Partia Demokratike ligjore e Bashës dhe të mbajë ndezur një dritë shprese”, tha ai.