Berisha, i shpallur non grata nga SHBA-të e Britania e Madhe dhe në arrest shtëpie për aferën ‘Partizani’, pasi është marrë i pandehur për korrupsion, po lëviz çdo gur në përpjekje për të ngritur imazhin e tij në sferën ndërkombëtare.
Edhe pse në shkelje të ligjit, Berisha herë pas here pret në banesën e tij në Tiranë, politikanë, të cilët shprehin mbështetjen për ish-kryeministrit.
I fundit që Berisha ka pritur në banesë është ish-eurodeputeti polak Ryszard Czarnecki, i arrestuar për korrupsion së fundmi në vendin e tij.
Koha e saktë kur e ka takuar Berishën nuk dihet, por ka qenë vetë ish-eurodeputeti polak, i cili ka publikuar në mediat polake dy shkrime për Shqipërinë, ku në njërin prej tyre tregon edhe për vizitën në shtëpinë e Berishës, i cili e ka pritur me “tortë e raki” (13 shtator).
Por pasi Berisha e gostiti me ‘raki dhe tortë… pasi nuk mund ta çonte në një restorant’, ish-eurodeputetit polak i janë vënë prangat.
Ish-eurodeputeti polak, sipas mediave vendase, u arrestua të mërkurën nga Byroja Qendrore Kundër Korrupsionit (CBA) në aeroportin Chopin në Varshavë. Po sipas mediave polake, ish-eurodeputeti është arrestuar lidhje me rastin e tregtimit të diplomave në universitetin Collegium Humanum. Prokurori ngriti dy akuza kundër Czarneckit; e para ka të bëjë me ndikimin të paligjshëm në Ministrinë e Arsimit dhe përfitime financiare 92,000 PLN (21 mijë euro). Politikanit polak nuk i është ndaluar dalja jashtë vendit.
Partia në të cilën bën pjesë PiS (Ligj dhe Drejtësi), njoftoi se e ka pezulluar, duke e lënë të përballet vet me drejtësinë.
Përveç Ryszard Czarnecki, u arrestua edhe gruaja e tij, punonjëse e universitetit Collegium Humanum. Vetë ish-eurodeputeti, e cilësoi arrestimin e tij ‘si një lojë politike dhe i konsideroi absurde akuzat ndaj tij’. Në mars 2023, shpërtheu një skandal në lidhje me Collegium Humanum. Filloi me arrestimin dy personave me dyshimin për përfitime materiale dhe personale. Bëhej fjalë për tregtimin e diplomave përmes këtij universiteti privat.