Nga Mentor Kika
Në rrugët e Malit të Zi tani ka trafik, pasi popullsia e tij pesëfishohet nga turistët. Por ajo që ne vërejmë është se, ndërsa në rrugë ka ngarkesë, askush nuk futet në korsinë e kundërt.
Shpejt të gjithëve na shkon biseda tek shqiptarët e paduruar, që sapo krijohet radhë në rrugë vrapojnë ti zënë të dyja korsitë. Një kolege jona, ndërsa kthehej nga Rradhima, gjatë katër orëve pritje në rrugë, përiqej të bënte drejtësi duke fotografuar targat e kundravajtësve e i postonte në rrjetet sociale….
Vijmë në Hanin e Hotit. Shumë pak makina. Orë me fat. Por sërish shumë pritje. Befas, një autobuz me turistë rumunë, kalon nga korsia e autobuzave tek veturat.
Shkaku? Polici tek sporteli i autobuzave nuk e përdor shpejt “atë paisjen”, ndaj e kaluan këtu, se është një vajzë e re, që merr vesh më shumë.
Pritje… tek polici që nuk merrte vesh, një motorrist holandez ka plot 17 minuta për të kontrolluar dokumentat.
Ndërkohë tri makina vijnë jashtë radhës dhe fusin “turirin”, mes makinave të tjera. Revoltohem dhe i them që do të njoftoj policinë: Sko mer pirdhu me gjithë policë, A s’i paske thanë atij Lleshit a? Kujton se po më plas… Ky është nga Shkodra, dhe e ka për turp të qëndrojë në rradhë. E ku, në Han të Hotit!
Asgjë nuk lëviz ende. Njëri nga të paduruarit e zbuloi shkakun: Bajnë kastile se dun lekë. Tjetri, me një kanatjerë me harta djerse, futoi dorën në xhep e nxori dy dymijëlekësha, të bërë shuk. Shqeva sytë.
Vërtet ka ende policë që korruptohen me këto kartmonedha të qelbura nga djersa? Afrohem tek sporteli, dhe aty një police e re, simpatike dhe aspak e denjë për atë dymijëlekëshin e atij të paduruarit, tha se ka rënë rrjeti.
Dy fuoristrada luksi, aspak të denja për të prituar në radhë, futen edhe ato kundravajtje, e drejtë tek trau. Këta s’kanë nevojë as tu kontrollohen dokumentat, një polic i ngre traun në korsinë nga ku duhet të kalojnë kamionat që dalin nga Shqipëria dhe fluturojnë….
Durimi është çelësi i suksesit.
Kalojmë dhe ja ku të del përpara trafiku i Lezhës. 10 kilomertra trafik pa hyrë në qytet. Menjëherë del në pah karakteri shqiptar. Të paduruarit nxitojnë dhe shpejt e shpejt i bllokojnë të dyja korsitë. Parakalime nga e majta e nga e djathta.
Edhe shqiptarët që jetojnë jashtë, sapo vijnë këtu transformohen, turren si ata qentë e lëshuar nga zinxhiri, tërbohen. Askush nuk pyet për policë… Meqë ra flaja plot katër orë e me shume për të përshkuar 20 km, nga Lezha në Milot, dhe pashë vetëm një polic tek kryqëzimi i Shëngjinit.
Përse në ditë normale, pas çdo ferre ka nga një polic? Ku janë, përse nuk i ndëshkojnë këta njerëz? Përse kur udhëtojmë jashtë vendit ne respektojmë çdo vijë të bardhë e të verdhë, ndërsa këtu tërbohemi? Kush e ka fajin, njerëzit e tërbuar, apo shteti?
Nuk ia gjetëm dot fillin. Një koleg e vulosi duke thënë se do të preferonte të jetonte edhe nën një juntë ushtarake, vetëm të na bënte zap, të na bënte njerëz një herë.
Isha në dilemë për ti publikuar këto përceptime nervoze “anti-shqiptare”, thjeshtë nga një incident. Por befas sot hasa në një shkrim me këtë foto, që tregon se si një grup të rinjsh francezë kanë dalë në rrugë, pikërisht në Hanin e Hotit, duke veshur edhe jelekët e verdhë që kishin me vetë, dhe iu bënë barrikadë shqiptarëve që nuk njohin as ligjin, as rregullin, as edukatën, as moralin, as sedrën, as reskeptin.
Tani unë kam një lutje. Shpërndajeni këtë text sa të mundeni, sepse dua tia përplas në surrat çdo njeriu, që na bën të ndjejmë neveri për vendin tonë sa herë ikim e kthehemi.