Pandi Raidhi (1921-1999). Aktor. Lindi në Korçë, më 14 prill. U aktivizua me grupet teatrore të qytetit të lindjes; roli i tij i parë është luajtur në shfaqjen “Dasma korçare” më 1936, me regjisor Dhimitër Trajçen.
Mori pjesë në radhët e Ushtrisë Nacionalçlirimtare dhe luajti në grupet teatrore amatore të saj në shumë pjesë të shkurtra. Në vitet 1948-1949 punoi si aktor në Teatrin Popullor, u aktivizua aty me disa role të kahut dramatik, të cilat nuk i shkonin përshtat dhe s’arritën ta zbërthenin natyrën e tij aktoriale.
Megjithatë, spikati me rolin e Bobcinskit në komedinë “Revizori” të Gogolit, por fill më pas u largua prej andej si “i paaftë” dhe u rikthye në Korçë.
Ishte nga aktorët themelues të Estradës Profesioniste të Korçës me shfaqjen Agimi, gjithashtu aktor themelues i teatrit “A.Z. Çajupi”, më 1951.
Si aktor komik “i lindur”, me një lirshmëri e gjendje emocionale të natyrshme, i prirur vetiu kah satira dhe humori, P. Raidhi u bë i parapëlqyer në Teatrin e Korçës për interpretimin e shumë figurave ne komediografia shqiptare, sidomos ajo botërore, ku veçohen: Argani tek “I sëmuri për mend” e Molierit, 1995: Volpone te “Volpone” e Ben Xhonsonit, 1957; Sganareli te “Doktor Padashka” e Molierit, 1958; Arlekini te “Gënjeshtari” e Gogolit, 1959.
Në vitet ’60 ai arriti edhe pjekurinë e tij artistike, çka u reflektua në nivelin e aktrimit, në vetjakësinë psikoplastike të figurave dhe në individualitetin e spikatur artistik që krijoi.
Pas një morie realizimesh komike e humoristike në llojet e shkurtra të estradës, ishte regjisori Pirro Mani ai që e afroi në skenën e teatrit dramatik në fillim të viteve 60 me disa role të rëndësishme.
Veçanërisht u bë i dukshëm talenti i tij me interpretimin e rolit të xha Kasëmit në dramatizimin e romanit “Këneta” të Fatmir Gjatës (1963) dhe në filmin “Vitet e para” (1965), me të cilin ai dha një fshatar tipik shqiptar të jugut, babaxhan, plot humor, thumba, ngacmime e ojna, i dashur e i sinqertë, që krijonte atmosferë e hare në skenë.
Aktori u mësoi elementeve popullore: në mënyrën e sjelljes, të folures, veshjes, portretit, deri edhe hollësive të pirjes së duhanit etj,. që gjetën mishërimin e tyre origjinal falë zgjedhjes së një protipi fshatari me taban nga anët e Devollit, sa të mençur aq dhe ironik, njeri i cili, sipas vetë aktorit, nuk e hiqte nga goja thumbin, kurse në buzë i lulëzonte e qeshura dhe shakaja.
Në vitin 1964 jëtësoi një tjeter rol nga më mbresëlënësit në karrieren e tij artistike, atë të Thanasit në dramën “Hijet e natës” e Vedat Kokonës.
Përmes një loje e humori brilant, me të folurën e veçantë, ritimin e lartë dhe plastikën karakterizuese, P. Raidhi skaliti njeriun në panik, finok, pa personalitet të qartë, që shkon nga fryn era, veshngritur, në pritje të ndryshimit politik të kohës, i pasigurtë dhe i tmerruar nga lufta dhe pushteti i dhunshëm që po vinte. Me nurin komik që e dallonte dhe ngulmin për të ravijëzuar karaktere të besueshme, me plastikën e zhdërvjelltë dhe të folurën fshatarake.
P. Raidhi realizoi figura artistikisht të bukura e të pelqyera gjerësisht nga shikuesit e kategorive të ndryshme.
Me xha Bakon në komedinë “Zonja nga qyteti” e Ruzhdi Pulahës, 1975, si dhe në filmin me të njejtin titull, 1976, me të cilin fitoi Medaljonin e Festivalit, ai vijoi gdhendjen mjeshtërore të tipit të fshatarit shqiptar, njeriut të mençur, ironik, shpotitës, që e ka ngacmimin pjesë të qenies së tij kritike por që, nga ana tjeter, dëshmon edhe një dashuri e nderim të thellë për punën, jetën, njeriun, progresin.
Luajti mbi 150 role të ndryshme në dramë dhe komedi, si dhe në opereta, duke ravijëzuar gjithmonë tipa e karaktere të spikatur. Në këtë hulli u trajtuan edhe rreth 36 figura të tjera, të interpretuara prej tij në kienematografi, kryesisht role karakteresh, si: xha Ymeri në filmin “Horizonte të hapura”, 1968; Ago në filmin “Yjet e netëve të gjata”, 1972; Mekja në filmin “Krevati i perandorit”, 1973; Vasili në filmin “Tokë e përgjakur”, 1976; Pllaton Bubuqi në filmin “Përballimi”, 1976 etj.
P. Raidhi shquhet nga një aktrim i vërtetë, thuajse natyral, si i gjendur ashtu në jetë, i drejtpërdrejtë dhe i mëvetësishëm, derisa edhe vetë konvencioni teatror duket sikur sfidohet e “harrohet”. Bie në sy përshtatshmëria e tij e madhe ndaj gjendjes emocionale të figurës, sikurse humori fin, i atypëratyshëm, i çlirët, reagimet e shpenguara e spontane. E tëra e tij ngjason me një arketip shqiptar, si i shkulur nga toka, etnia, historia, shpirti, psikologjia dhe mjedisi shqitptar. Mban titullin “Artist i Popullit”.