Arian Çani, i njohur sot si moderatori i “Zonë e lirë” ka një përvojë të gjatë në fushën e gazetarisë para startimit të këtij emisioni.
Ai ka rrëfyer se karriera e tij ka nisur si çdo gazetar tjetër, në terren dhe në kërkim të lajmit në vitet e para të pas ’90-ës.
Në një lidhje telefonike në emisionin “Kafein”, Çani tregoi se nuk kanë munguar edhe rastet kur është kërcënuar për shkak të detyrës. Sipas tij, bëhet fjalë për kohën kur ishte kryeredaktor i një gazete dhe u kërcënua në telefon nga dy njerëz të njohur për një shkrim, dy ditë pas vrasjes së Azem Hajdarit.
“Nuk kam patur asnjëherë kërcënim persona, por kujtoj një rast në vitin 1998 kur unë punoja si kryeredaktor i një gazete. Dy njerëz të njohur me morën në telefon për një shkrim që ishte botuar, pra nuk kishin asgjë personale me mua.Ishte një kohë kur Tirana ishte jashtë kontrollit dhe kishte dy ose tre ditë që ishte vrarë Azem Hajdari, pra ishte gjendje e jashtëzakonshme.
Nuk i përmend dot me emra por dy personat më kërcënuan dhe më thonin që të mos e vazhdoja më shkrimin në gazetë.
Madje më erdhën edhe në redaksi, unë thirra ca njerëz të tjerë paralel që të mbrohesha, pasi unë nuk shquhem për grushte dhe u neutralizua kjo histori. Këta dy njerëz janë shumë zyrtar sot”, tha gazetari.