Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, ishte shënjestër e një përpjekjeje për ta vrarë, tha Byroja Federale e Hetimeve, FBI. Sulmi me armë ndodhi pranë një prej klubeve të tij të golfit në Florida, vetëm nëntë javë pasi Trump, kandidat i Partisë Republikane për president, i mbijetoi një tjetër atentati në një tubim në Pensilvani.
Policia tha përmes një deklarate se Trump “është i siguruar dhe nuk është dëmtuar nga atentati i mundshëm”. Fushata e Trumpit tha, gjithashtu, se kandidati 78-vjeçar është mirë, pas të shtënave me armë në afërsi të tij.
I dyshuari u kap brenda disa minutave dhe është dërguar në paraburgim. Autoritetet nuk e bënë publik emrin e tij, por mediat amerikane e identifikuan atë si Ryan Wesley Routh, 58-vjeç. Ai menaxhon Camp Box në Honolulu dhe donte të bënte tre gjëra kryesore në jetë: të luftonte në Ukrainë, të rekrutonte ish-ushtarë afganë dhe t’i dërgonte në Tajvan për të mbrojtur ishullin nga pushtimi kinez.
Një kritik i Trump në mediat sociale. Routh postoi në X në lidhje me atentatin ndaj ish-presidentit në korrik, duke inkurajuar Presidentin Joe Biden dhe Zëvendës Presidentin Kamala Harris që të vizitonin të plagosurit.
“Trump nuk do të bëjë kurrë asgjë”, shkroi Routh.
Për gjendjen e shëndetit mendor të Routh nuk dihet asgjë, ndaj edhe nuk mund të arrihet në konkluziuone përfundimtare. Ashtu si Thomas Matthew Crooks, sulmuesi i Butlerit, kishte kërkuar trajtim në internet për raste të rënda depresioni.
Ndërkohë sipas mediave amerikane 58-vjeçari është një person me precendent penal. Në vitin 2002, kur ishte vetëm 36 vjeç ai u arrestua në Karolinën e Veriut për posedim të një mitralozi. Ndër precedentët në dosjen kriminale të Routh përveç mbajtja fshehurazi e armëve, janë edhe vjedhja, rezistenca ndaj një zyrtari publik apo drejtimi i mjetit me patentë të pezulluar.
Sipas mediave të huaja, i dyshuari duket se ka qenë i motivuar nga zhgënjimi me politikën e SHBA-së për luftën në Ukrainë. Në një intervistë të qershorit 2022, Routh foli për përpjekjet e tij për të rekrutuar vullnetarë për “Mbrojtjen Ndërkombëtare të Legjionit të Ukrainë”.
Routh shprehu mbështetje për Ukrainën në dhjetëra postime të publikuara në X në vitin 2022, duke u shprehur se ai ishte i gatshëm të vdiste në luftë dhe se “ne duhet të djegim Kremlinin deri në dhe”. Po në këtë vit ai vizitoi Ukrainën, sipas videove dhe fotove të gjetura nga CNN. Në disa prej postimeve në Facebook vitin e kaluar, ai u përpoq të inkurajonte rekrutët afganë për të luftuar, duke u paraqitur si një ndërlidhës për qeverinë ukrainase.