Në ditët në vijim pritet të zgjidhet drejtuesi i ri i Garda e Republikës, pas largimit disa muaj më parë të ish-drejtorit Ermal Onuzi. Mes kandidatëve për këtë post të rëndësishëm spikat edhe emri i Vasil Çuni, një oficer me përvojë të gjatë në fushën e sigurisë së institucioneve dhe personaliteteve të larta shtetërore.
Vasil Çuni ka mbi dy dekada eksperiencë në strukturat elitare të sigurisë shtetërore. Prej tyre, 17 vite i ka shërbyer Gardës së Republikës, duke mbajtur disa funksione kyçe.
Karriera e tij ka nisur në njësinë e sigurimit të rrugëkalimit të Presidentit dhe ka vijuar si shef seksioni në Njësinë Speciale, shef i trajnimeve në Drejtorinë për Sigurinë e Personaliteteve dhe më pas si shef i trajnimeve dhe stërvitjes në Gardën e Republikës.
Ai përshkruhet nga bashkëpunëtorët si një profesionist i formuar mbi disiplinën, përkushtimin dhe integritetin. Në mjediset profesionale, emri i tij lidhet shpesh me një vlerësim të vetëm: profesionalizëm.
Vasil Çuni ka lindur në Shkodër, më 3 shtator 1978, në një familje ushtarake. Aktualisht jeton në Tiranë. Ai është oficer karriere me gradën Major në rezervë dhe është diplomuar në Akademinë Ushtarake “Skënderbej”, Fakulteti i Forcave Tokësore, me specializim në zbulim.
Formimi i tij profesional është pasuruar ndër vite me trajnime të shumta kombëtare dhe ndërkombëtare në fushën e sigurisë. Ai ka ndjekur kurse të forcave speciale, si edhe programe për drejtimin dhe menaxhimin e trupave, gjatë periudhës 2003–2020.
Gjatë viteve 2001–2019, Çuni ka shërbyer në Gardën e Republikës, duke marrë role operative dhe drejtuese në garantimin e sigurisë së institucioneve më të larta të shtetit dhe personaliteteve shtetërore. Ky angazhim afatgjatë e ka pajisur me eksperiencë të gjerë në menaxhimin e situatave komplekse të sigurisë.
Prej vitit 2019, ai ushtron detyrën e Drejtorit të Sigurisë së Personelit në sektorin bankar.
Në këtë rol, ka kontribuar në ndërtimin dhe zbatimin e standardeve moderne të sigurisë institucionale, duke përshtatur praktikat ndërkombëtare me realitetin vendas.
Paralelisht me angazhimin profesional, Çuni ka vijuar trajnimin e vazhdueshëm, duke marrë vlerësime maksimale. Ai zotëron licencën “Trainer of Trainers” në fushën e sigurisë fizike dhe të personelit.
I martuar dhe baba i dy fëmijëve, Vasil Çuni flet anglisht dhe italisht. Ai njihet për korrektësi, seriozitet dhe aftësi drejtuese. Profili i tij konsiderohet nga shumëkush si një kandidaturë me eksperiencë dhe vazhdimësi në shërbim të sigurisë shtetërore.






