Ka dy ditë që në kampin opozitar po bëhet një zhurmë e madhe me doza sipërore atdhetarizmi në mbrojtje të detit që qeveria aktuale ia paska shitur Greqisë gjatë bisedimeve të kohëve në bisedimet midis ministrave të jashtëm të dy vendeve.
Nga: Xhevdet Shehu
Po të mos i njihnim ata që po bërtasin aktualisht, shqiptarët do ishin ngritur njëzëri në mbrojtje të detit tonë. Mirëpo, sapo marrim vesh se kush i shqipton këto deklarata e qëndrime, entuziazmi shfryhet menjëherë dhe qytetarët vënë buzën në gaz vetvetiu.
Duke lexuar një reagim të ish-kryeministrit Sali Berisha dhe një të ish-presidentit Bujar Nishani, çdo shqiptar duhej të alarmohej së tepërmi. Akuzat e tyre ishin të përbindshme kundër Kryeministrit aktual të vendit dhe kësaj qeverie, pasi Edi Rama paska bërë një tradhti të lartë kombëtare. Akuzë më rrëqethëse nuk ka ku të shkojë.
Mbështetur nga akuzat e shkruara prej Berishës dhe Nishanit, duhet të shqetësoheshim, sepse këta dy emra kanë mbajtur postet më të larta në vend dhe i dinë mirë punët e shtetit, njohin kushtetutën dhe janë betuar mbi kushtetutë për mbrojtjen e interesave më të larta kombëtare.
Pardje Berisha dhe Nishani, ndërsa dje Lulzim Basha bërtitën deri në klithma histerike për të zgjuar ndërgjegjen kombëtare ndaj një akti, sipas tyre, antikombëtar që po kryhet në kurriz të shqiptarëve dhe interesave kombëtare. Mirëpo një fjalë e urtë thotë “Nëse ke të drejtë, nuk ke nevojë të bërtasësh”. Sepse si njëri dhe tjetri, nuk kanë përpara asnjë marrëveshje të firmosur dhe gjithë këtë zhurmë e bëjnë jo vetëm të pabazuar, por edhe në mënyrën më hipokrite të mundshme.
Midis Shqipërisë dhe Greqisë ka shumë çështje të mbartura nga e kaluara dhe është mirë që për to të bisedohet dhe të zgjidhen në bazën e reciprocitetit midis dy vendeve. Dhe kështu po veprohet aktualisht. Ka ikur ajo kohë kur Enver Hoxha i kërcënonte grekët në fundin e viteve ’60 të shekullit të kaluar se do të rrëmbenin ndonjë centimetër tokë shqiptare “kur të shikonin majën e veshit pa pasqyrë”. Edi Rama nuk e ka staturën e Enverit. Rama është një prerje e re që jeton në një kohë krejt tjetër. Kanë rrjedhur shumë ujëra gjatë këtyre dekadave dhe të dy vendet e shikojnë si të pashmangshme fqinjësinë e mirë dhe jo luftën midis tyre. Të dy vendet janë anëtare të NATO-s dhe e ardhmja evropiane është e vetmja alternativë si për Greqinë dhe për Shqipërinë.
Kur nënshkroi marrëveshjen me Greqinë për detin në vitin 2009, Berisha pati shansin të bënte një akt të lartë atdhetarizmi dhe të fitonte adhurimin e shqiptarëve. Ai mund t’u thoshte grekëve: “Ju dua fort, ju kam xhan ju grekëve, po këtë marrëveshje nuk e firmos sepse është kundër interesave të vendit e popullit tim…” Nuk e bëri këtë dhe vajti e firmosi marrëveshjen duke marrë mbi vete indinjatën e shqiptarëve, por edhe përbuzjen e grekëve. Sepse grekët janë një komb dinjitoz, e duan vendin e tyre dhe nuk i duan miqtë e padinjitetshëm që shkelin mbi interesat kombëtare.
Marrëveshja e firmosur nga Berisha dhe Basha për detin ishte një marrëveshje turpi dhe si e tillë do të kujtohet si një nga aktet antikombëtare, si ato të Ahmet Zogut të bëra me serbët për shitjen e Shën Naumit dhe Vermoshit. Po, pikërisht marrëveshja e 2009-s ishte një akt i pastër tradhtie kombëtare.
***
Po përse bërtasin këta njerëz dhe a duhen besuar ata? Sidomos tani
Sepse pati një rikthim te çështjet e mbetura pezull me Greqinë! Rikthim te deti! Rikthim tek “patatja më e nxehtë” në marrëdhëniet midis dy fqinjëve më të vjetër të Ballkanit. Pardje, mediat greke shkruanin se sapo është arritur marrëveshja mes Shqipërisë dhe Greqisë për Detin, edhe pse ende nuk ka një reagim nga qeveria shqiptare. Ergypress.gr shkruante se Athina dhe Tirana e kanë arritur marrëveshjen për ridefinimin e zonave ekonomike, një zhvillim ky që lidhet direkt me interesin për kërkimin e hidrokarbureve në zonat e ashtuquajtura 1 dhe 2 në det.
Në artikull thuhet se Greqia pranon se Pakti Detar i vitit 2009 me Shqipërinë ka pasur gabime, marrëveshja për zonat ekonomike ekskluzive ka qenë pjesërisht gabim nga ana metodologjike, një pikëpamje e mbështetur deri tani nga Shqipëria.
Po ashtu Athina pranon që gjiret e detit duhet të konsiderohen “të mbyllura” me qëllim që të zbatohen dispozitat përkatëse të Konventës Detare.
“Pala shqiptare ka rënë dakord përfundimisht se nuk ka asnjë pretendim për ishujt e vegjël Othon e Erikusas, çka për Greqinë ka shumë rëndësi në lidhje me marrëdhëniet me Turqinë, me të cilën ka përplasje për ishullin Kastelorizo”, shkruan media greke.
***
Sali Berisha shkruan: “Shtypi grek i çjerr maskën e tradhtisë kombëtare Edi Ramës. Rama i fali Greqisë fushat më të mëdha të naftës dhe gazit në Jon dhe Mesdhe, shkruan “energypress.gr”, duke i falur blloqet 1 dhe 2 Greqisë kurse Shqipëria merre krundet dhe llogjet!
Pas një trillimi grek se marrëveshja e mëparshme ka patur disa gabime metodologjike, gazeta greke e specializuar fushën e energjisë informon pikërisht atë që kemi denoncuar këto javë disa here, pra faljen nga Rama të fushave më të mëdha të naftës dhe gazit në Jon dhe Mesdhe…
Të dashur miq, kjo është e vërteta lakuriq e marrëveshjes se tradhtisë së lartë kombëtare të Edvin Kristaq Ramës. Ju bëj thirrje shqiptarëve të përgatiten për të mbrojtur me të gjitha mjetet integritetin territorial të Shqipërisë dhe për t’i ofruar skëterrën që meriton Edvin Kristaq Ramës për aktin e tij të tradhtisë së lartë kombëtare”.
Kështu shkruante Berisha pardje. Në të njëjtën linjë me të reagoi edhe Bujar Nishani. Ai shkruante: “Media greke njofton sot se Marrëveshja e Detit midis Shqipërisë dhe Greqisë është arritur midis dy qeverive përkatëse. Me triumfalizëm dhe shumë e kënaqur media greke njofton se qeveria shqiptare i ka dorëzuar Greqisë zonat më të rëndësishme të ekskluzivitetit ekonomik. Tashmë nuk përbën më sekret se zonat që i përkasin “de facto” Shqipërisë janë zotëruese të pasurive të mëdha të gazit dhe naftës. Nëse lajmi i medias greke është i vërtetë ky akt i qeverisë aktuale shqiptare do të përbënte aktin më të lartë të tradhtisë kombëtare që nga themelimi i shtetit shqiptar në 1912.”
Po kështu, me paturpësinë më të madhe foli dje edhe Lulzim Basha, njeriu të cilit i është faturuar marrëveshja e nëntë viteve më parë duke firmosur i ngazëllyer me Dora Bakojanisin, në prani të kryeministrave të atëhershëm, Berisha dhe Karamanlis.
Por a duhen besuar këta “atdhetarë të përvëluar” në thirrjet e tyre për këtë çështje? Kaq idiotë i konsiderojnë shqiptarët këta duke pandehur se ky popull e ka kujtesën të shkurtër dhe nuk mund të kujtojë se ishin pikërisht këta, Berisha e Basha në radhë të parë, që i shitën Greqisë në mënyrën më flagrante të mundshme në vitin 2009 350 km katrorë det, një marrëveshje e anuluar në mënyrë të pakthyeshme nga Gjykata jonë Kushtetuese në mënyrë unanime. U rrëzua si një marrëveshje antikombëtare. Atëherë si mund t’i konsiderojmë deklaratat e tyre të përgjegjshme dhe për më tepër atdhetare, kur asnjë precedent i sjelljes së tyre si ish-presidentë, si ish-kryeministër, si ish-ministër dhe si politikanë nuk flet në favor të atdhetarizmit? Doni fakte? Janë aq të shumta dhe aq të konsumuara sa duket e tepërt t’i përmendim. Por, përsëritja është mëmë e dijes, thotë populli, për më tepër kur Berisha, Nishani e të tjerë nuk lodhen për ditë së na kujtuari të këqijat që i kanë bërë këtij vendi. Sepse Nishani ka qenë edhe ministër edhe President i komanduar nga Berisha. Sot më shumë se kurrë, kur konsiderohet ish-president me rekordin më negativ në krye të shtetit që ka dekoruar gjithë kolaboracionistët, kuislingët dhe diversantët. Pra a duhen besuar ata në deklaratat hipotetike që bëjnë për “tradhti kombëtare” nga ana e kësaj qeverie aktuale?
Meqë erdhi fjala, mund t’i drejtohemi me këto pyetje zotit Berisha, por edhe Bashës e Nishanit të tij:
-Pse e shkelët embargon që iu vu nga Kombet e Bashkuara ish-Jugosllavisë së Millosheviçit në gjysmën e parë të viteve ’90 për shkak të kasaphanës që kasapi i Ballkanit po bënte në Bosnjë-Hercegovinë dhe Kosovë? Sa patriotike ishte ajo kontrabandë dhe pse asnjëherë nuk e kini bërë transparencën e firmës së PD-së “Shqiponja” që e bënte këtë kontrabandë?
-Në emër të kujt interesave vodhët votat në zgjedhjet e përgjithshme të 26 majit të vitit 1996?
– Po kështu në emër të kujt interesave lejuat ngritjen e firmave piramidale në ato vite që kulmuan me revoltat e përgjakshme të vitit 1997?
– Kush duhet të përgjigjet për këtë fatkeqësi kombëtare që sa më shumë kalojnë vitet aq më shumë nxin?
-Kush duhet të përgjigjet për grushtin e shtetit në shtator 1998?
-Po për Gërdecin e 2008-s dhe masakrën e 21 janarit 2011 kush mban përgjegjësi?
-Ju na bëni thirrje të përgatitemi “për të mbrojtur me të gjitha mjetet integritetin territorial të Shqipërisë dhe për t’i ofruar skëterrën që meriton Edvin Kristaq Ramës për aktin e tij të tradhtisë së lartë kombëtare”. Mirëpo si t’ia bëjmë atij aktit tuaj që i shitët Greqisë 350 kilometra katrore det? Ne thërrasim prej më shumë se dy dekadash për ujkun që na ka bërë hatanë dhe ju na tregoni gjurmët. Sepse ne nuk dimë të na jetë shitur det me marrëveshjen e re që është në negocim e sipër. Dhe e di përse? Sepse pasi “u dogjëm nga qulli që gatuat ju kur ishit në qeverisje” askujt nuk besoj se do t’i shkonte në mendje të përsëriste atë akt.
Nuk i bëjë aspak avokatinë kësaj qeverie dhe diplomacisë sonë. Por kam bindjen se tashmë përgjegjësit e marrëveshjes së re me Greqinë, janë aq shumë të ekspozuar, sa nuk do të guxonin të lëshonin asnjë fije në dëm të interesit të tyre.
Ministria jonë e Jashtme deklaron se nuk ka një marrëveshje të re për detin, por ka vetëm negociata. Kur të përfundojnë negociatat do ta marrim vesh të vërtetën. Që duhet përcaktuar ky kufi midis dy vendeve kjo duket se është një domosdoshmëri. Pak sitë më parë, një nga ekspertët tanë më të mirë të marrëdhënieve ndërkombëtare dhe një nga njohësit më të mirë të kësaj çështjeje, Prof. Ksenofon Krisafi ka deklaruar para pak ditësh në ‘DITA’ për bisedimet shqiptaro-greke: “nëpërmjet dialogut konstruktiv, kompromiseve parimore, po kërkojnë të heqin vjetërsirat primitive dhe të shohin përpara, për të zgjidhur disa çështje të mbetura si kular në qafën e popujve të tyre. Me këtë optikë i shoh rezultatet e deritanishme të takimeve, vizitave dhe bisedimeve dy e shumëpalëshe të politikanëve të rajonit. Me këtë sy dhe me shpresë për zgjidhje europiane do të doja t’i shihja edhe bisedimet Bushati-Kotzias. Prandaj gjykoj se është detyrë e të gjithëve që t’i përshëndesin, t’i mbështesin dhe t’i përkrahin negociatat dhe negociatorët”.
Për çështjen e kufirit detar me Greqinë është folur aq shumë, sa ndoshta për asnjë çështje tjetër. Është më se normale që në këto raste të jemi vigjilentë, madje tepër vigjilentë që mos përsëriten gabimet dhe tradhtitë e së kaluarës. Kush digjet nga qulli, i fryn kosit, thotë populli. Ne po i fryjmë detit, sepse aq shumë na ka djegur ajo marrëveshje që Berisha dhe Basha firmosën me Karamanlisin dhe Bakojanis në mes të Tiranës afro dhjetë vjet më parë.
Do të donim t’i shihnim Berishën dhe Nishanin si atdhetarë që t’i besonim në deklaratat e tyre të ditëve të fundit. Por me sjelljen e tyre në pushtet ose jo ata e kanë pasur këtë shans dhe e kanë humbur prej vitesh. Përkundrazi, ata janë kthyer në shëmbëlltyrën e të kundërtës së atdhetarizmit.
Pasi i njohim të gjithë se kush janë, pse duhet t’i vlerësojmë për atdhetarë të flaktë këta njerëz që po ngjiren ditët e fundit duke na bërë thirrje të përgatitemi për mbrojtjen e detit? Populli i njeh prej vitesh këta personazhe dhe buzëqesh hidhur me ta. Populli ua ka dhënë përgjigjen me dinjitetin maksimal ndaj dhe ndihet i pashqetësuar nga deklaratat e tyre. Kjo është dhe përgjigja që u jepet atyre për deklaratat mbi detin.
“Unë nuk mund të ndihem ndryshe nga populli, të cilit i përkas”, thotë Rexhep Qosja.