Vetëm pak muaj pas zgjedhjeve të përgjithshme, në lagjen Besëlidhja të Lezhës, u gjetën të djegura dy automjete, njëra prej të cilave rezultonte në përdorim të kryebashkiakut të këtij qyteti, Fran Frrokaj.
Automjeti i djegur tip Mercedez-Benz me targa AA 400 JK, i përkiste kryebashkiakut Frrokaj, por për disa arsye që do të ua zbulojmë më poshtë, mjeti u deklarua sikur ishte marrë nga bashkia me “kontratë huapërdorje”.
Pas djegies së makinës, Frrokaj ka dëshmuar në polici se: “nuk kam konflikte me askënd, por prej dy ditësh, mjeti kishte ndezur një llampë, që e neglizhova duke mos i bërë kontroll në servis.”
Kush e mban mend ngjarjen që tronditi qytetin e Lezhës, nuk di të thotë se ku përfundoi automjeti i djegur i Frrokaj, pasi ai u zhduk “pa gjurmë” nga vendi i ngjarjes, e në mënyrë të pakuptimtë, për “llampën” nuk u bë asnjë hetim, duke u pranuar versioni i kryebashkiakut.
Sipas një burimi konfidencial pranë gazetës Ekskluzive.al, e vërteta e kësaj ngjarje është krejt ndryshe. Automjeti i djegur në mesnatën e 24 shtatorit 2017, ka qenë në pronësi të një qytetari, i cili e kishte këmbyer mjetin bashkë me disa bizhuteri me vlerë të madhe, për një sipërfaqe toke shkëmbore që duhet të regjistrohej si pemtore, në zonën e “Ranës së Hedhun”.
Por kjo aferë nuk u realizua, pasi ish-drejtori i Hipotekës refuzoi të regjistronte sipërfaqen e tokës në pronësi të pagatorit si pemtore dhe këtu ja kaloi specialistit të kësaj fushe për ta firmosur. Nuk e dimë se ç’ndodhi me dokumentat, por i njëjti truall i’u “shit” të afërmit të Fran Frrokaj. Këtu nisi dhe konflikti midis pagatorit dhe krybashkiakut.
Personi i cili i kishte dhënë makinën dhe sendet e tjera Frrokajt, nuk arriti të merrte shpërblimin e premtuar. Personi në fjalë e kishte kontaktuar disa herë kryebashkiakun t’i kthente automjetin dhe sendet me vlerë, madje duke i thënë se nuk do ta gëzonte makinën.
E kështu Frrokaj, për të humbur gjurmët e automjetit dhe për të penalizuar ish pronarin si autor të ngjarjes, dyshohet se vendosi njerëz për të shkatërruar mjetin./Ekskluzive.al
Në foto makina e djegur e kryebashkiakut Frrokaj, e gjetur pranë një servisi në qytetin e Lezhës