Ish-ministri i Brendshem, Saimir Tahiri del nesër përpara Gjykatës së Apelit të Krimeve të Rënda, ku do të kërkojë heqjen e masës së arrestit shtëpiak. Kërkesa është dorëzuar një javë më parë nga avokati i tij mbrojtës, Maks Haxhia.
Pak orë përpara kësaj seance të rëndësishme të gjykatës, është ambasadori amerikan Donald Lu i cili ngre hije dyshimi të forta. I dërguari i Uashingtonit ka thënë se vendimi i Apelit duhet të bazohet mbi prova dhe jo presione. Në një prononcim për mediat, ambasadori amerikan në Tiranë i ka bërë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, pasi siç thotë ai, ka të dhëna se gjyqtarëve u është ofruar ryshfet, por pa specifikuar se cila palë është e përfshirë në këtë aferë.
Kjo pasi nga njëra anë opozita kërkon burgosjen e ish-ministrit të Brendshëm, ndërsa nga ana tjetër, vetë Tahiri dhe pala e tij mbrojtëse duan lirinë, duket hedhur poshtë akuzat për bashkëpunim në trafik droge me Habilajt.
Kemi dëgjuar disa raportime nga burime të pavarura për presione serioze në këtë çështje, përfshirë edhe ryshfete që u janë ofruar gjykatësve. Ne i bëjmë thirrje shoqërisë civile dhe medias që ta vëzhgojnë këtë çështje me vëmendje, në mënyrë që vendimi të bazohet mbi provat dhe ligjin dhe jo mbi presione, kërcënime apo para. Askush nuk është mbi ligjin
Donald Lu, ambasador i SHBA në Tiranë
Gjykata e Krimeve të Rënda dha masën e sigurisë “arrest shtëpie” në 12 maj, ndaj ish-ministrit të Brendshëm të akuzuar si të përfshirë në trafik droge me grupin “Habilaj”. E vetmja dalje e Tahirit nga banesa e tij ka qenë ajo kur u njoh me vlerësimin e masës së sigurisë te Krimet e Rënda.