Nga Pandeli Bardhi
….GJK që po vonon…. “Asnjë çast nuk do të flemë të qetë, në një kohë që Shqipëria lëngon”, tha midis të tjerave Monika, kryetare e LSI-së. Aq e vërtetë është kjo, që krerëve LSI-stë iu është prishur gjumi për “Shqipërinë që po lëngon”, sa që ende pa aguar mirë dita e Vitit të Ri 2020, u mblodhën në Konventën e tyre.
Bile, jo vetëm që e “prishën gjumin”, por anwtarët e thjeshtë të partisë nuk i lejuan as të relaksoheshin pak në këto ditë pushimi, të paktën për aq kohë sa stomaku i tyre të treste bakllavanë dhe gjelin e detit! Por jo, Partia i thirri në Konventën e LSI-së për një fillim të mbarë të një “epoke të re”! Të jetë vallë shqetësimi për “Shqipërinë që po lëngon” apo ndonjë shqetësim tjetër? Problemi është të mos flasim “havadan”, por të ndjekim me vëmendje këtë konventë dhe më pas secili të nxjerri konkluzionet e veta.
Midis të tjerave, Kryemadhi, e cila lexoi një “hartim” të gjatë në këtë Konventë, siç e kishin përgatitur të dy me “ustain”, duke e ditur që fjala e saj do të zinte vend aq sa zuri dekreti i 13 tetorit. Midis të tjerave, ajo tha: “Në emër të LSI, në emër të Shqipërisë, në emër të dekadës së re, ne ofrojmë sot 15 vitet e punës dhe përkushtimit të themeluesve të LSI, të gjithë atyre që janë këtu apo jashtë kësaj salle, investimin e pesë brezave të të rinjve të LRI që janë shpirti, energjia dhe e ardhmja e familjes sonë politike”! E para është LSI-ja, pastaj është Shqipëria dhe LSI-ja ka të drejtën e saj që të flasi edhe në emër të Shqipërisë. Po nejse, kjo nuk ka shumë rëndësi. Rëndësi ka që ku e ka treguar LSI-ja kontributin e saj pesëmbëdhjetë vjeçar. Jo vetëm njerëzit, partitë dhe qeveritë që kanë, ku i tregojnë vlerat dhe aftësitë e tyre, por edhe kafshët, duhet të kenë edhe ato disa cilësi si p.sh për prodhimin e qumështit, për ngarkesën, për shirjen e vrahut etj. etj. Po në rastin konkret, cilat janë ato vlera dhe kontribute që ka dhënë LSI-ja,fjala vjen për konsolidimin e demokracisë, për shtetin ligjor, për luftën kundër korrupsionit, për integrimin e vendit në strukturat e BE-së sipas emërtimit që ka etj. etj?
Vetë Monika e pranon me gojën e saj: “Dy partitë kryesore, (PD dhe PS) kanë bërë me shqiptarët. “Në ato maja rripa rripa, njëherë ma hipe një herë ta hipa”. Kjo është e vërtetë, po aq sa e vërtetë është ajo që LSI-ja ka qënë gjithmonë hipur! Atëherë, përderisa nuk është provuar në “ngarkesë” si mund të themi që LSI-ja, e mban mbi kurriz qeverisjen e vendit? Por, hakun të mos ja hamë, “kontributi” i saj i vetëm është në vitin 2009, kur i vendosi “shalën” e kalit atij “kalorësi” që nuk dinte t’i zbriste ndonjëherë. Mos vallë këtë e bëri që “Shqipëria të mos lëngonte” si deri atëherë, prej afro njëzet vitesh nga dy partitë kryesore që synonin t’ja hipnin këtij populli, herë njëra e herë tjetra? Faktet tregojnë që këtë nuk e bëri që Shqipëria të “mos lëngonte”, por e bëri për të zhvatur sa më shumë e për të nxjerrë përfitime për veten e vet. Faktet tregojnë që kjo parti mori jo pak poste ministrore, deri postin e zëvendëskryeministrit. Nuk ishin këto poste sidokudo, por poste që ishin “mesi i byrekut” ku “kullotë” kishte me shumicë, si ministër të Ekonomisë, të Jashtëm etj etj.
E themi këtë mbasi dikush tjetër e hiqte “parmendën”, ashtu si e tërhiqnin, por mjaftonte vetëm “kontributi” që LSI-ja dha duke i sjellë në pushtet, kaq ishte e mjaftueshme për të “ngrënë” për dhjetra vite. Erdhën zgjedhjet e reja dhe u larguan nga ai “kalë” që nuk po e “shinte” dot “vraun” dhe me shumë qetësi e dashuri u varrën pas bishtit të “kaut” me emrin “Rilindje”! Nuk ishte e nevojshme edhe tek “kau” socialist të kontribuonte, por mjaftonte vetëm të “argalisej” e të shihte ku ishin “kullotat” ! “Kaut” rilindas, nuk i mjaftonte vetëm të tërhiqte “parmendën, por të duronte edhe “pickimet e mizave” LSI-ste, që nuk e linin rehat dhe që megjithëse vetëm hanin “kuleçë” përsëri akuzonin ‘nusen” që i bënte të “shtrembër”. Erdhi një ditë dhe ikën edhe nga “kau” rilindas, duke mbetur “me gisht në gojë”. Vetëm mbas trembëdhjetë vitesh e morën vesh që “Shqipëria po lëngonte” herë duke i hipur njëri e herë tjetri. Tani kur ka marrë “ferra uratën”, tani kërkon LSI-ja të hipi edhe ajo njëherë e ta provojmë sikur qytetarët të mos i njihnin se si kanë qeverisur krerët e saj qysh nga i pari e deri tek i fundit..
Pse nuk ka vallë “argumenta” për të treguar që Shqipëria nuk do të “lëngojë” më me LSI-në në qeverisje? “Duhet të çmontojmë pushtetin e të paaftëve, thotë Monika, mediokërve, sharlatanëve dhe të të paaftëve. Plotësisht dakord ! Që Shqipëria qeveriset nga mediokër, injorantë e të paaftë, kjo është e vërtetë, por problemi qëndron cilat janë rrugët për të çmontuar këtë qeverisje, për të çmontuar këtë sistem që akoma qytetarët nuk po e rrethojnë me “shirit të verdhë” si pallatet që janë rrezik shembje ! Kaluan dy vjet dhe “shiritat e verdhë” të PD-së dhe LSI-stëve askush nuk u a vuri veshin. LSI-stët e mohuan edhe Bashën, të cilit ky fillim Viti i Ri ja ka nxjerrë edhe gjumin dhe kërkon të heqi dorë nga protestat e të kthehet aje ku fillon vendosja e këtij “shiriti” tek zgjedhjet. LSI-stët nuk janë të këtij mendimi, por janë në unison me mendimin e “ishit” të tyre të dikurshëm, i cili bën thirrje: “Të ngrihemi fuqishëm e të përmbysim këtë narkoshtet, këtë kryeministër mafioz”! Ora këtij “ishi” i ka mbetur akoma tek Haxhiqamilistët, që kërkonin të rrëzonin qeverinë me hunj gardhi.
Bile, këtë “lakërtë prishur” që ai ka në kokë ja reklamon edhe shtypi “i pavarur”, ku me gërma kapitale në faqen e parë dhe jo vetëm ajo, e reklamojnë këtë “zbulim” të madh. Por le të mos e lëmë vetëm Monikën në Konventën e saj. Ajo, jep edhe shumë “argumenta” që Shqipërinë do ta nxjerri nga “lëngimi”! Ja ç’thotë ajo: “Sot ne kemi pjesë në organet drejtuese dhe përfaqësuese të partisë, profesorë të nderuar, si Nora, Shezaiu, Edmondi, Eltjoni, Halimi, Adela, Luigji e shumë të tjerë. Sot LSI ka në gjirin e saj intelektualë të rinj, të cilët janë të shkolluar në universitetet më të mira perëndimore si Klajda, Erisa, Kejda, Endriti, Floida, Klevi, Eriona.” etj etj. Vallë mos ndoshta ndokujt do t’i duken pak këto “argumenta” të këtyre ish-funksionarëve që kanë “shkëlqyer” në postet ku kanë qenë dhe këta të rinj e të reja të shkolluar në vendet perëndimore? Le të gjejë ndokush tjetër një të shkolluar në partitë e tjera përveç LSI-së. “Ne, jemi forca e vetme, thotë Monika, që e duam Shqipërinë dhe atë e vendosim mbi të gjitha, e vendosim të parën”! Kjo po, kjo të bën mendjen top, sepse “fshati që duket, nuk ka nevojë për “kallauz”. Në këtë Konventë LSI-ja shpalosi fushatën e “dyerve të hapura” në të gjithë Shqipërinë dhe jo vetëm, por edhe në Europë edhe në Amerikë, edhe në Australi. Këtë e tha Monika me gojën e saj.
Tani përveçse në Shqipëri, LSI-ja do të ketë degët e saj për pranimet e reja edhe në New York edhe në Berlin, Londër, Paris e në Melbourn. Po ky, nuk është “argument”. Është si nuk është? Monika për këtë bën edhe “sakrificën” më të madhe, e cila për të sjellë gjakun e ri në parti, është gati që: “Ne, fytyrat e vjetra që militojmë prej shumë vitesh në parti, të largohemi”! Po mirë, por po të iki Monika, Iliri, që ka më shumë vite, Edmondët, Manjanët etj etj kush do të verë në zbatim atë që tha Monika që “Ashtu si do të punojmë për shtëpinë tonë, ashtu do të punojmë edhe për Shqipërinë..”! Me siguri ky duhej të ishte shkaku i duartrokitjeve të forta të disa ish funksionarëve LSI-stë!…Të gjitha këtyre, nuk mund të mos i thuash “argumenta” por ajo që sikur nuk i mbush mendjen qytetarëve, është ky “dreq” veting i politikanëve sepse, ata të sistemit të drejtësisë na i kanë bërë mendjen “top”!Se çfarë do të bëjë një “gjysëm” SPAK, pa “pjesën” tjetër Gjykatë Kushtetuese, e Gjykatë e Lartë, askush nuk e merr vesh!. Edhe në drejtësi, parimi “Prish e ndreq”!…Edhe për këtë Monika e ka një përgjigje:” Ne, do të bëjmë vetveting për secilën kandidat të zgjedhur në Organin Legjislativ”! Më pas ajo thotë:” Përsa i përket pasurisë time, mua më kanë hetuar çdo fije floku qysh nga Kryeministri Nano, Berisha dhe Rama…”
Aaa, kjo po, kur të hetojnë këta të drejtë si “drapri” kjo, jo vetëm të bind që nuk je e pasur, por të lindin edhe dyshime se si mund të qëndrojë në kufijtë e “mbijetesës” një Kryetare e një force politike!. Monikës, i vjen në ndihmë edhe Petrit Vasili dhe jep edhe ky “argumentat” e tij. Kur e pyesin që a ka besim në Organet e larta të drejtësisë që po ngrihen ai i përgjigjet që do të ketë besim vetëm atëherë kur organet e drejtësisë të hetojnë krerët e mazhorancës sipas hetimeve që ka bërë gazeta “Bild”. Po mirë more Vasili, që krerët e mazhorancës duhet të hetohen, kjo, nuk ka asnjë pikë dyshimi, po të tjerët, ata që janë mes juve të lihen të lirë? Përveç “Bild” ka hetuar edhe “Mother Johns” e shumë të tjera. Pse këto të mos i marrim? Po ata që janë në krye të Partisë simotër PD-së të lihen të “livadhisin” me vjedhjet dhe abuzimet e shumta?
Të jeni juve kaq të pastër? Qysh këtu, askush nuk ju beson more mavri, por vetëm bëheni gazi i botës..A janë të mjaftueshme apo nuk janë ato që thotë Monika që, “Ne, do të fitojmë pa asnjë diskutim përballjen me të keqen, sepse kemi shpirtin, kemi forcën, kemi idetë, kemi zgjidhjen” dhe se “Shërimi i Shqipërisë nga sëmundja e Rilindjes kërkon vizion, kërkon aftësi. kërkon profesionalizëm, kërkon ndershmëri”. E kush ka ndonjë fije dyshimi që LSI-ja, nuk i ka të gjitha këto? “Askush”! Të gjithë e kanë humbur besimin tek partitë, bile, nuk duan t’i dëgjojnë as emrin përfshi këtu edhe Rilindjen e “famshme” që e ka humbur prej kohësh “busullën”! Nuk shprehej më kot Mark Twain: “Sa më shumë i njoh njerëzit, (partitë), aq më shumë e dua…..”Rilindjen” time.