Gjykata Kushtetuese rrëzoi padinë e deputetëve të opozitës për shpalljen anti-kushtetues të Marrëveshjes për Marinën e Jahteve në Durrës, pa i hyrë aspak themelit të çështjes.
Tetë nga nëntë gjyqtarët kanë vlerësuar se nuk kanë tagër për të shqyrtuar ligjin ratifikues të Marrëveshjes Ndërkombëtare, e cila i hapi rrugë shkatërrimit të Portit Tregtar të Durrësit dhe ndërtimit aty të një kompleksi gjigant kullash e godinash betoni.
Vendimi i Gjykatës Kushtetuese në favor të marrëveshjes personale të Edi Ramës me një kompani off-shore, të përfaqësuar nga biznesmeni saudit Mohamed el Alabar, është marrë në 14 qershor të këtij viti dhe u shpall ditën e sotme.
Gjashtë gjyqtarë, Holta Zaçja, Gent Ibrahimi, Elsa Toska, Sandër Beci, Marjana Semini dhe Ilir Toska, janë shprehur kategorikisht kundër kërkesës së deputetëve opozitarë për shpalljen antikushtetuese të marrëveshjes Rama-Alabar.
Dy gjyqtare, Marsida Xhaferllari dhe Fiona Papajorgji, janë shprehur gjithashtu kundër kërkesës së opozitës, por kanë pasur një argumentin ndryshe nga pjesa tjetër.
E vetmja gjyqtare që ka dalë kundër marrëveshjes Rama-Alabar dhe që ishte pro shpalljes anti-kushtetuese të saj ishte gjyqtarja Sonila Bejtja.