Hapja e negociatave duket se do të sjellë reprezalje në politikë. Bundestagu gjerman votoi dy ditë më parë pro çeljes së negociatave për vendin tonë, por kanë edhe 9 kushte. Kushtet më kryesore të gjermanëve janë reforma në drejtësi dhe goditja e korrupsionit e krimit të organizuar në nivel pushtetarësh. Çështjet e drejtësisë dhe të sigurisë janë të përfshira tek kapitujt 23 dhe 24. Nisja e punës me shqyrtimin e këtyre kapitujve pas hapjes së negociatave pritet t’iu hapë shumë telashe politikanëve.
Në këtë drejtim, Shqipëria pritet të ecë në rrugën e Serbisë. Shteti serb arriti të hapë negociatat me BE në vitin 2014, ndërsa vetëm në fund të vitit 2016 u vulosën kapitujt 23 dhe 24. Gjatë këtyre dy vjetëve Serbia bëri shqyrtimin paraprak të këtyre kapitujve dhe dha rezultate derisa u arrit tek shqyrtimi në 2016. Përgjatë kësaj periudhe në Serbi pati arrestime zyrtarësh, si për t’i provuar BE që puna e bërë me kapitujt 23 dhe 24 është serioze. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe në Rumani e Kroaci, ku po ashtu ka patur valë arrestimesh gjatë hapjes së negociatave dhe teksa punohej me kapitujt në fjalë. I njëjti shembull pritet të ndiqet edhe nga Shqipëria. Nëse çelen negociatat në tetor, atëherë Shqipëria do të hapë kapitujt 23 dhe 24 e do të nisë shqyrtimin e tyre. Deri në vitin 2022 vendi ynë pritet të punojë me këto kapituj dhe paralelisht të ketë goditje të korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivel pushtetarësh, njësoj siç ndodhi në Serbi, Kroaci dhe Rumani. Në këtë mënyrë përmbush kushtet e Gjermanisë dhe bëhet gati për t’u integruar në Bashkimin Evropian. Kjo do të thotë që teksa Ministria e Drejtësisë dhe përfaqësues të BE diskutojnë në tryezë për kapitujt 23 dhe 24, nga ana tjetër duhet të ketë shembuj ndëshkimesh të zyrtarëve të korruptuar. E gjitha kjo “luftë” e ashpër pritet të ndodhë brenda një periudhe 2-vjeçare, duke ndjekur kështu precedentët serbë, kroatë e rumunë pas hapjes së negociatave.
Ngritja e SPAK, Kushtetueses dhe GJL
Me qëllim që të ndodhë arrestimi i pushtetarëve të përfshirë në afera, Gjermania i ka vendosur si kusht kryesor Shqipërisë ngritjen e Strukturës së Posaçme Antikorrupsion brenda vitit 2019. Në këtë mënyrë, hapet rruga që gjatë viteve 2020 dhe 2021 SPAK të çojë shumë zyrtarë prapa hekurave. “Për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar u krijua struktura speciale e kërkuar SPAK, një Gjykatë speciale për luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Deri tani janë miratuar nga Këshilli i Lartë i Prokurorisë 15 kandidatë. SPAK pritet të fillojë funksionimin deri në fund të vitit 2019”, thuhet në vendimin e marrë dy ditë më parë nga Bundestagu gjerman. Pritshmëritë që kanë gjermanët nga SPAK i kanë renditur në një pikë tjetër të vendimit. “Angazhimi i strukturës speciale për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar dhe aftësia e saj për të punuar; Progres solid në krijimin e bilanci suksesi në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në të gjitha nivelet, përfshirë inicimin dhe procedimet e para të përfunduara kundër nëpunësve civilë dhe politikanëve të nivelit të lartë”, vijon vendimi. Për gjermanët, me rëndësi është edhe rikthimi në jetë i Gjykatës Kushtetuese dhe asaj të Lartë. Plotësimi i këtyre dy gjykatave duhet të ndodhë brenda 2019 me qëllim që Shqipëria të afrohet më shumë me Bashkimin Evropian. “Janë ndërmarrë hapa për forcimin e pavarësisë dhe detyrimit të llogaridhënies së drejtësisë. Gjykata Kushtetuese dhe Gjykata e Lartë tani duhet të plotësohen. Është gjithashtu e rëndësishme të sigurohet ri-marrja e gjyqtarëve dhe prokurorëve të kualifikuar dhe të pavarur përmes shkollimit dhe trajnimit”, thuhet në vendimin e Bundestagut gjerman. /Mimoza Ibra