PD dhe PS janë bërë bashkë, duke “shkrirë” me votë unanime në Kuvend, Këshillin Drejtues të RTSH-së.
Anëtarët që janë shkarkuar sot nga parlamenti janë Gëzim Podgorica, Genc Përmeti, Leka Bungo. Gjithashu janë shkarkuar edhe Ilir Keko, Albert Minga, Dionis Papadhimitri, Ëngjëll Ndocaj, Edmond Tullumani, Mevlan Shanaj, Milena Selimi dhe Ardita Reçi.
Kriza në RTSH që u pasua me vendimin drastik të Kuvendit, erdhi pas skandalit me garën për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm.
Debati nisi lidhur me procedurat që janë ndjekur në përzgjedhjen e kandidaturave për drejtor të Përgjithshëm të RTSH ku me shumicë votash u skualifikuan 3 nga 5 kandidatët me pretendimin se nuk plotësojnë kriteret për kualifikim.
Ndërkohë pesë kandidatë të tjerë ishin skualifikuar më parë për mangësi në dosjet e aplikimit, duke lënë në garë vetëm Jetmir Shpuzën dhe elektricisten Aurora Polo.
Gjatë këtij procesi përzgjedhje që duhej të ishte me votë të fshehtë u zbulua se anëtari Mevlan Shanaj kishte votuar nga Vietnami.
Ai kërkoi që të vijonte punën pavarësisht ndodhej në Azi.