Për të gjithë ata që nuk e njohin, Alben Kola, është një i ri nga Kukësi, ‘truri’ dhe organizatori i protestës në Rrugën e Kombit i cili zgjoi Lulzim Bashën nga gjumi letargjik dhe i dha zemër Monika Kryemadhit.
Sot dy liderat e opozitës kanë në “dorë” kauzën e të riut kuksian!
Pse e themi këtë?
I vetëm, Albeni, ishte ai i cili kërkoi dhe mori lejen e tubimit pranë Drejtorisë së Policisë së Kukësit, Drejtorisë së Përgjithshme të Tiranës për një protestë qytetare, pa ndikime partiake.
Dhe për këtë të fundit, nuk ka dyshime as kryeministri Edi Rama. Përpos akuzave ndaj rivalëve të politikës, Rama u bind se kjo ishte një revoltë e popullit kuksian të cilit i kërkoi ndjesë disa herë për mosinformimin e sot nga Kuvendi i premtoi zgjidhje.
“Ne s’do fillojmë sistemin e pagesës pa dhënë zgjidhjen më të mirë për atë zonë”, tha Rama para pak minutash nga Kuvendi.
Por le të kthehemi te Albeni i cili duke përdorur thirrjet në rrjetet sociale, telefonatë pas telefonate, mesazh pas mesazhi, takim pas takimi ia doli të organizojë një protestë që gjeti të papërgatitur jo vetëm Policinë e Shtetit por edhe median e cila fillimisht nisi ta raportojë protestën e Kalimashit si një “lajm të dorës së dytë”, derisa kuksianët e përcaktuan vetë vijën editoriale duke u shndërruar edhe në shqetësimin më të madh të qeverisë edhe sot e kësaj dite.
Por deri më datë 31. 03. 2018, kur Albeni dhe kuksianët e tjerë u rebeluan e i vunë flakën vendeve ku taksoheshin automjetet, Basha dhe partnerja e tij në politikë, zonja Kryemadhi, as që e kishin në axhendën e tyre opozitare, protestën.
Bashës i ishte propozuar disa herë nga mbështetës dhe kritikë të tij në mbledhjet e PD të niste një valë protestash por ky i fundit nuk ishte fort entuziast.
E provoi më 27 janar duke organizuar një protestë të demokratëve në rrethe të cilët erdhën në Tiranë por jo gjithçka shkoi siç e kishte parashikuar.
Monika Kryemadhit, nuk i erdhi as një e treta e protestuesve që priste në Tiranë, gjë që solli edhe hatërmbetje mes tij e kryedemokratit të cilit gjithashtu nga ana tjetër nuk iu përgjigjën të vetët në kohën kur po diskutohej qendrimi i tij në PD.
Aq sa “kupa u mbush” dhe nisi të flasë edhe Berisha. Aq shumë i revoltuar e i pakënaqur ishte ish-kryeministri Berisha me të përzgjedhurin e tij, sa ia tregoi të gjitha në një kafe Agim Xhafkës.
Berisha e bëri fajtor Bashën, tha se ai duhet të ikë e të larguarit duhet të kthehen.
Kryedemokrati dhe mbështetësit e tij ishin në ditët e tyre më të këqija pas këtij qendrimi të ish-liderit por befas “feksi një dritë” dhe nga diskutimi për Bashën në krye të PD, e gjitha është kthyer në një pikëpyetje të madhe për qendrimin e Ramës në krye të qeverisë.
Albeni dhe kuksianët e tjerë të Bashkuar ia servirën në “pjatë të florinjtë” Bashës kauzën që i duhej për të marrë në dorë frenat e opozitës.
Në fakt këtu duhet t’ia njohim meritat kreut të PD. Më shumë se sa priti t’ia servirnin, Basha u ngrit me të vetët dhe ia mori me shumë zgjuarsi kuazën aktivistëve.
Lëshoi disa nga simpatizantët e tij fillimisht në Kalimash, pasditen e protestës atëhere kur gjithë policia e media u dynd drejt Kukësit, të nesërmen dërgoi gjithë PD-në në komisariatet e Kukësit e më pas, kur Albeni dhe katër miqtë e tij shkuan te Drejtoria e Policisë së Tiranës për të kërkuar lirimin e bashkëqytetarëve të tij, Basha i vëmendshëm dërgoi me urgjencë grupin e tij të besuar të demokratëve duke spostuar e eklispuar tërësisht aktivistët.
Këta të fundit u detyruan të largoheshin pasi nuk identifikoheshin dot me përplasjet e dhunshme të asaj mbrëmjeje në ambientet e drejtorisë dhe as parrullat “Rama m’u ngrit”.
Motoja e tyre ishte “Arrestoni oligarkët, lironi qytetarët”.
Megjithatë Bashës e Kryemadhit nuk iu bë shumë vonë për largimin e tyre, përkundrazi ata gjetën terrenin që iu duhej për të vazhduar të vetëm deri në fund.
Kështu, nga bindja për të vazhduar betejën e tyre në komisionet parlamentare e seancat plenare, siç trumbetonin me të madhe dy liderët, brenda natës vendosën që betejën ta zhvillonin në rrugë me mosbindje civile.
Veçse Basha e Kryemadhi nuk kanë me vete aktivistët e as popullin mbarë. Albeni dhe shokët e tij sot nuk iu bindën urdhërit të Bashës për mosbindje civile.
“PD e LSI po vjedh kauzat, protestat quhen kur zgjohet shoqëria, ato duan qytetarë”, i tha sot në mesazhin e tij Albeni Bashës i cili sot për sot ka në dorë kauzën e artë të kuksianëve.
Por a do i mjaftojë kjo për të rrëzuar Ramën?
Koha do dijë ta tregojë. /newsbomb