Është një mrekulli të shikosh këtë oaz aty ku Shala përqafohet me Drinin, tashmë liqeni i Komanit. Ka dy vjet që është bërë pika më e frekuentuar në veriun e Shqipërisë. I thonë dhe “Blini i Gurit t’Lekës”, sepse aty ka mbyllur vitet e fundit të jetës së tij, prijësi i Dukagjinit, Leka.
Grykëderdhja e lumit të Shalës në liqenin e Komanit është kthyer në një nga destinacionet më tërheqëse lumore të Alpeve shqiptare. Izoluar nga majat e larta, rrjedha e vrullshme e ujit të kaltër të Shalës i ofron aventurierëve një panoramë nga ato që ngjajnë me Tajlandën e largët.
Rruga për të shkuar deri në këtë panoramë të mrekullueshme është disi e gjatë, por jo e lodhshme, pasi është e larmishme. Vizitohet kryesisht nga turistë që nisen nga Tirana, Durrësi, Elbasani, Lushnja… kryesisht Shqipëria e Mesme dhe ajo Veriore. Vizitorët e Tiranës nisen pak herët rreth orës 5 të mëngjesit dhe pas 2 orë udhëtim në rrugë të asfaltuar mbërrijnë në Vaun e Dejës dhe prej këtu duhet dhe 1 orë tjetër në rrugë të pashtruar për në pikën e nisjes së trageteve dhe varkave në liqenin e Komanit.
Oraret e tragetit janë 6 dhe 9 e mëngjesit. Megjithatë, për 90 euro në total (5 euro personi) varka me rreth 20 vende vihet në dispozicion të vizitorëve për të shijuar nga afër pikat interesante të liqenit të Komanit dhe të lumit të Shalës.
Lugina e Shalës, një zonë e virgjër lumore, e cila vetëm së fundmi është futur në guidat e agjencive turistike, po tërheq një vëmendje të veçantë, për shkak të natyrës së paprekur dhe mundësive të shumta që ofron.
Aventurierët e natyrës mund të shijojnë eksplorimin e zonës me varkë, ngjitjen në majat përreth me pamje spektakolare, si dhe zhytjen në ujin e freskët të lumit të Shalës. Aty ka dhe një plazh të vogël ku mund të bësh dhe banjo dielli.
Ata më aventurierët, arrijnë të shijojnë këtë destinacion të ri duke ngulur çadrat e kampingut për një eksperiencë plotësisht individuale, rrethuar nga majat e larta, për të cilat vendasit tregojnë legjenda mesjetare.
Sipas gojëdhënave, princi Lekë Dukagjini, prijësi i dytë më i rëndësishëm i shqiptarëve pas heroit Gjergj Kastriot Skënderbeu, i kaloi vitet e fundit të jetës në këtë zonë, ku gjen emërtime të tij, si për shembull “Guri i Lekës”, një pikë strategjike që sheh luginën, nga ku mendohej që Dukagjini ruante vendin nga ardhja e turqve.
Lumi i Shalës është një atraksion i ri, i cili ka pak kohë që ka filluar të frekuentohet. Ai i tërheq vizitorët me ujin e kristaltë dhe natyrën e mrekullueshme.
Ky bum turistësh në dy vitet e fundit, i ka nxitur vendasit e përfshirë në industrinë e shërbimit dhe akomodimit të kërkojnë mundësi zhvillimi me nisma që do të financojnë bujqësinë e zonës, në mënyrë që vizitorët të shijojnë prodhime vendase. Aty ka dhe një bar të vogël të ngritur nga investitorë vendas, ku u shërbehet vizitorëve.
Dhe pas disa orëve shëtitje në ujërat e kthjellta, plazh në zhavorrin lumor dhe një dreke të shijshme në qetësinë e natyrës së gjelbër, vizitorët i hipin sërish varkave të vogla për të provuar rrugën e kthimit, e cila gjarpëron nëpër liqenin e Komanit. Dhe brenda ditës je përsëri në Tiranë por… ke kaluar një ditë ndryshe…