Vedat Muriqi nuk përmbahet në kampionatin spanjoll të futbollit. Sulmuesi i përfaqësueses së Kosovës u bë protagonisti absolut i Mallorcës në fitoren e kësaj të fundit ndaj Athletic Bilbaos me rezultatin 3-2
‘Pirati’ ishte autori i të 3 golave për skuadrën ishullore me sulmuesin dardan që shkon në kuotën e 14 golave në këtë sezon dhe është ai ndjekësi më i afërt i Mbappe që kryeson klasifikimin e golashënuesve me 19 gola
Vetëm 5 minuta i mjaftuan Mallorcës dhe Muriqit për të zhbllokuar rezultatin me skuadrën ishullore që mori kryesimin në 1-0. Por Bilbao reagoi shpejt dhe pas vetëm 3 minutash barazoi në 1-1 me Unai Gomez. Në fundin e pjesës së parë Muriqi nuk u tregua i saktë nga pika e bardhë e penalltistë pasi Unai Simon e ktheu topin e gjuajtur prej tij, një top që shkoi sërish në këmbët e Muriqit që e dërgoi atë në rrjetë për t’i dhënë sërish avantazhin Mallorcës në 2-1. Edhe në këtë rast reagimi i Bilbaos ishte i menjëhershëm me skuadrën baske që barazoi në 2-2 me Nico Williams.
Në pjesën e dytë, pikërisht në minutën e 69 Mallorca fitoi një tjetër 11 metërsh. Ai që shkoi te pika e bardhë ishte sërish Muriqi që këtë radhë e dërgoi direkt në rrjetë topin për të plotësuar tregolëshin personal dhe për t’i dhënë fitoren 3-2 Mallorcas ndërkohë që Bilbao e mbylli ndeshjen me 10 futbollistë për shkak të ndëshkimit me karton të kuq të Guruzetës. Pas kësaj fitoreje Mallorca ngjitet në kuotën e 21 pikëve, 3 më pak se Bilbao që mbetet me 24.
Shiko këtu golin e parë të Muriqit https://streamin.link/v/43a86024
Shiko këtu golin e dytë të Muriqit https://streamin.link/v/446d1aa0
Shiko këtu golin e tretë të Muriqit https://streamin.me/v/ebfb575a




