Ish-drejtori i Përgjithshëm i Rrugëve që vinte nga radhët e LSI, Dashamir Xhika, është arrestuar.
Burime të gazetës TemA bëjnë me dije se ai është arrestuar mbrëmjen e së enjtes.
Xhika u kallzua penalisht pak kohë më parë nga ministri i Energjetikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri, për abuzimet me aksin rrugor Tiranë-Elbasan.
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka përmbyllur procesin e auditit të kryer pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar mbi rregullshmërinë e ndjekjes dhe zbatimit të kontratave për ndërtimin e rrugës Tiranë-Elbasan.
Në vijim të konkluzioneve të këtij auditi, ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Damian Gjiknuri ka dërguar pranë Prokurorisë për Krime të Rënda kallëzimin penal në ngarkim të shtetasve:
Dashamir Xhika, ish-Drejtor i Përgjithshëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
Aksel Qurduka, ish-Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Albens Alite, Drejtor i Njësisë së Menaxhimit të Projektit të Rrugës Tiranë-Elbasan, pranë Autoritetit Rrugor Shqiptar, Tiranë.
Përmes kallëzimit, kërkohet fillimi i ndjekjes penale ndaj personave të kallëzuar dhe persona të tjerë, për kryerjen e veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës”, kryer veçmas dhe në bashkëpunim me persona të tjerë, parashikuar nga nenet 248 e 25 të Kodit Penal.
Konstatohet se personat e lartëpërmendur, si dhe persona të tjerë ende të paidentifikuar, veçmas dhe në bashkëpunim, kanë kryer veprime e mosveprime në kundërshtim me përmbushjen e detyrave të tyre funksionale gjatë ndjekjes dhe zbatimit të kontratave per ndërtimin e rrugës Tiranë – Elbasan. Ky fakt ka shkaktuar pasoja të rënda për interesat e Buxhetit të Shtetit dhe të publikut, si dhe ka krijuar kushte për përfitime të padrejta materiale nga subjekte juridike private.
Personat e kallzuar, të cilët kanë ushtruar apo ushtrojnë funksione publike, me veprimtarinë e tyre, krijojnë bindjen e arsyeshme se me veprimet e mosveprimet, kanë patur edhe qëllime korruptive dhe duhet të jenë rezultat i pranimit të ofertave apo i premtimeve për përfitime të parregullta nga vet personat e kallëzuar.
Procesi i auditit konstatoi efekte financiare me dëm ekonomik në vlerën 53,983,340 USD. Përveç kësaj, është konstatuar edhe një shkelje e disiplinës financiare në vlerën 16,117,926 USD nga nënshkrimi i amendamenteve të kontratës pa burime financimi.