Një ditë pas incidentit në uzinën e armëve në Gramsh, ministri i Mbrojtjes Niko Peleshi ka thënë se qeveria po mendon për rivendosjen në funksion të uzinave të armëve në vendin tonë.
Në një deklaratë për mediet Peleshi ka ka thënë se pas fillimit të agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim, ndërsa thekson se Shqipëria ka bërë shumë mirë që nuk ka shuar përfundimisht industrinë e armëve. Për sa i përket Uzinës së Gramshit ai tha se nuk është e vërtetë që në uzinë, e cila është jashtë funksionit nuk ka energji elektrike prej tre vitesh.
“Për shkak të agresionit rus në Ukrainë është rritur kërkesa për armatim. Kemi bërë mirë që nuk e kemi shuar përfundimisht industrinë tonë. Po mendojmë për ti rivendosur në punë këto uzina. .
Nuk di që sot s’ka energji në Uzinë. Nuk ka uzinë në punë. Uzina ka statusin shoqëri aksionere por nuk ka aktivitet prej tre vitesh Nuk është e vërtetë që ka tre vite pa energji elektrike”, tha Peleshi.
Ndërkohë u shpreh se dhuna e përdorur nga tre të huajt, 2 rusë dhe një ukrainas ngre dyshime për hetimet.
“Padyshim që është një ngjarje që duhet vlerësuar, nuk mund të kalojë si një incident civil. Por nuk mund të nxitohemi dhe të nxjerrim konkluzione. Por fakti që është reaguar dhunshëm prej tyre na bëjnë të jemi të vëmendshëm deri në fund. Janë shumë struktura që po punojnë nga Inteligjenca Ushtarake,
Policia Ushtarake, SHISH, policia e Shtetit, Antiterrori. Janë në pyetje tre shtetasit e huaj me pasaporta ruse dhe ukrainase. Për pak do ketë një deklaratë për ecurinë e hetimeve,” tha Peleshi.