Pak ditë më parë, agjencia e lajmeve prestigjoze “Reuters” raportoi se hakera që besohet se punojnë në interes të Turqisë kanë sulmuar të paktën 30 organizata, mes tyre edhe Shërbimin Informativ Shtetëror Shqiptar. Në një përgjigje zyrtare të firmosur për Euronews Albania nga drejtori i SHISH, Helidon Bendo, ai pranon sulmin kibernetik por jo cënimin e informacioneve sekrete.
“Duke vlerësuar kërkesën tuaj, ju njoftojmë se në infrastrukturën, (rrjetin) e paklasifikuar të SHISH-it, nuk trajtohet në asnjë rast informacion i klasifikuar “ sekret shtetëror ” i çfarëdolloj niveli”, thuhet në reagimin e SHISH.
Në përgjigjen e tij Helidon Bendo thotë se Shërbimi Informativ Shtetëror është plotësisht i angazhuar dhe i përgatitur në mbrojtje të shërbimeve publike që ofron ( website, apo e-mail ) nga sulmet kibernetike.