Këshilli i Evropës përshëndet zgjedhjet e 30 qershorit në Shqipëri. Në një deklaratë në faqen zyrtare, Këshilli i Europës deklaron se zgjedhjet duhet të bëhen në përputhje me të gjitha detyrimet dhe standardet relevante ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar. Deputeti socialist Ervin Bushati ka shpërndarë deklaratën, ndërsa shkruan ‘Këshilli i Europës: Përshëndet Zgjedhjet e 30 Qershorit!’.
“Ne ndjekim nga afër situatën përpara zgjedhjeve vendore të 30 qershorit në Shqipëri, të cilat duhet të bëhen në përputhje me të gjitha detyrimet dhe standardet relevante ndërkombëtare për zgjedhjet demokratike, si dhe me legjislacionin kombëtar. Në këtë kontekst, ne kujtojmë marrëdhëniet e qëndrueshme dhe të besueshme të Këshillit të Evropës me OSBE / ODIHR, i cili ka vendosur një mision vëzhgimi afatgjatë në Shqipëri” thuhet në reagimin e Këshillit të Europës në faqen zyrtare.
Dje në Shqipëri pati një debat në lidhje me vëzhguesit e Kongresit të Këshillit të Europës, të cilët do të jenë të pranishëm në monitorimin e zgjedhjeve vendore të 30 qershorit në Shqipëri. Ndryshe nga çfare deklaroi PD dhe kryetari i saj, Basha, Kongresi i Këshillit të Europës hoqi nga faqja zyrtare në internet deklaratën lidhur me vëzhgimin e zgjedhjeve, duke konfirmuar tërheqjen nga qëndrimi i mëparshëm dhe sjelljen e vezhguesve te saj ne Shqiperi.