Nga Berlini, ku ndodhej bashkë me vetë Belinda Ballukun për të marrë pjesë në Forumin Global të Dialogut, kryeministri Edi Rama reagoi për herë të parë mbi lajmet se numrit 2 të qeverisë i është dërguar një fletëthirrje për tu paraqitur në SPAK të hënën e shoqëruar nga avokatët.
Kryeministri Edi Rama i pyetur nga Deutsche Welle dha një përgjigje të përgjithshme, por pa mohuar nëse ajo është thirrur ose jo. Rama tha se nuk ka asnjë koment, përsa kohë qëndrimi i tij është se drejtësia ka punën e saj.
“Nuk kam asnjë koment për asnjë rast. Siç e kam thënë, ne kemi punën tonë, drejtësia punën e vet dhe deri kur çështje të caktuara marrin formën e tyre të prerë, të gjithë njerëzit janë të pafajshëm dhe janë të padënueshëm nga gjykata popullore e politike dhe e mediave që i shërbejnë politikës”-ishte përgjigja e kryeministrit Edi Rama nga Berlini ku mori pjesë në punimet e Forumit Global të Dilaogut.
Një ditë më parë, dhe SPAK i pyetur nga gazetarët dhe një përgjigje fare të shkurtër pa mohuar dhe pa konfirmuar rastin. “Prokuroria e Posaçme nuk ka asgjë për të ndarë me median”.
Ndërsa opozita reagoi përmes kundërshtarit direkt të Belinda Ballukut në zgjedhjet e fundit, nënkryetarit të PD Gazment Bardhit duke ngritur dyshimin se zv/kryeministrja thirret për t’iu komunikuar statusi “e pandehur”. Por ai shtoi se zv kryeministrja mund të mos shkojë të hënën në SPAK, me justifikimin e pjesëmarrjes në një aktivitet ndërkombëtar në fillim javë.
Vetë PD ka dorëzuar në SPAK 4 padi për Ballukun: për çështjen e tunelit të Llogarasë, shitblerjet e energjisë elektrike, panelet fotovoltaike dhe 2 anijet TEC të prodhimit të energjisë elektrike.






