Udhëtimi i lamtumirës i Angela Merkelit në Ballkan thuhet të ketë qenë ide e ambasadorit Jan Hecker, i cili vdiq disa ditë më parë në Pekin. Hecker ishte një person shumë i respektuar në rajon.
Më 13 dhe 14 shtator, Kancelarja gjermane do të bëjë udhëtimin e saj të fundit zyrtar në Ballkanin Perëndimor.Në Beograd dhe Tiranë ajo do të zhvillojë bisedime me përfaqësuesit e qeverive dhe shoqërisë civile të të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.
Sipas qarqeve diplomatike në Berlin, iniciatori i këtij udhëtimi ka qenë ambasadori gjerman Jan Hecker, i cili vdiq ditë më parë në Pekin. Deri në fund të korrikut, ai ishte këshilltar i Merkelit për politikë të jashtme dhe të sigurisë dhe ka luajtur një rol kyç në politikën gjermane në Ballkanin Perëndimor. Lajmi për vdekjen e papritur të tij i trishtoi të hënën, 6.9.2021, jo vetëm Kancelaren dhe kolegët e tij më të afërt, por edhe shumë diplomatë, gazetarë dhe politikanë ndërkombëtarë.
Në fokus perspektiva e BE-së për Ballkanin Perëndimor
“Jan Hecker ishte një njeri fin, i mençur dhe i hapur ndaj botës. Ai e kishte veçanërisht për zemër perspektivën e Ballkanit Perëndimor në BE” – shkroi ndër të tjera në një postim ngushëllimi në Twitter politikani socialdemokrat gjerman, Michael Roth, që është edhe ministër shteti për Evropën.
Presidenti serb Aleksandër Vuçiq, gjithashtu postoi një mesazh, ku vlerësonte veçanërisht aftësitë dhe njohuritë e tij për rajonin: “Gjermania ka humbur një diplomat të madh dhe Serbia ka humbur një mik të madh,” shkroi ai. Sipas qarqeve diplomatike në Berlin, kryeministri shqiptar, Edi Rama, i ka shkruar një letër të gjatë ngushëllimi Kancelares. Shumë figura të tjera politike nga Ballkani Perëndimor gjithashtu shprehën ngushëllimet e tyre në rrjetet sociale. Të gjithë e quajnë mik.
Një ish-gjyqtar pranë Kancelares
Jan Hecker ishte Sherpa i pare Kancelares që nuk ishte diplomat. (Sherpa – kështu quhen këshilltarët e politikës së jashtme në zhargonin diplomatik. Ngjashëm si udhërrëfyesit malorë në Himalaja prej nga rrjedh termi, ata përgatisin takimet ndërqeveritare). Para se profesori i drejtësisë të fillonte punën si koordinator për politikën e refugjatëve në Zyrën e Kancelares, në vitin 2015, ai ishte gjyqtar në Gjykatën Federale Administrative në Leipzig. Ndoshta ishte aftësia e paanësisë, aq e domosdoshme për këtë profesion, ajo veti që e bëri atë një bashkëbisedues kaq të vlerësuar për të gjithë politikanët e Ballkanit Perëndimor.
“Ai ia dilte të zhonglonte mes krizave të shumta në të gjithë botën për të gjetur vend edhe për Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin,” thotë Nikola Dimitrov, zëvendëskryeministër i Maqedonisë së Veriut, i cili ka punuar shumë ngushtë me të. “Ai besonte fort në të ardhmen evropiane të rajonit tonë dhe u shkonte me themel problemeve tona i përqendruar, i saktë, me zgjuarsi dhe sinqeritet”, kujton Dimitrov në një prononcim për DW.
Angazhim i forcuar i Gjermanisë në rajon
Në pranverën e vitit 2018, disa muaj pasi kishte ardhur në detyrë, këshilltari i ri i Kancelares bëri udhëtimin e tij të pare në këtë detyrë, në Ballkanin Perëndimor, duke dëshmuar kështu se kjo pjesë e Evropës është shumë e rëndësishme për Gjermaninë.
“Ai e kuptonte shumë mire se sa i rëndësishëm ishte roli gjerman në rajon,” thotë një diplomat i lartë gjerman në një intervistë për DW. Nuk kaloi shumë dhe do të shihej se angazhimi i niveleve të larta të Gjermanisë në rajon ishte imediat. Integrimi i vendeve të Ballkanit në Perëndimor në BE në atë moment po ngecte në vend, sidomos për shkak të rezistencës së Francës. Në Ballkan kishin nisur të përhapeshin zëra për plane për ndarjen e Kosovës dhe ndryshimin e kufijve.
Jan Hecker do të bënte një tjetër udhëtim në Beograd dhe Prishtinë, në pranverën e vitit 2019, këtë herë me kolegun e tij francez, Emmanuel Bonne, për të parapërgatitur Konferencën e Berlinit të Ballkanit Perëndimor, në fund të prillit 2019, e cila synonte të jepte një shtysë përpara në dialogun Kosovë-Serbi.