Lara Colturi, skiatorja italo-shqiptare ka kërkuar largimin nga Shqipëria për t’u bashkuar me vendin e saj të lindjes, Italinë. Në Shqipëri nuk janë surprizuar nga kjo lëvizje, pasi Federata Shqiptare e Skive nuk e ka buxhetin e duhur për të mbajtur Colturin, e cilësuar si një prej talenteve më premtuese në këtë sport.
Tanimë është Sky.it që ka analizuar situatën e skiatores që garon për ngjyrat kuqezi. Në artikull qartazi arsyet e këtij vendimi janë ekonomike, me Colturin që i ka kërkuar Federatës Ndërkombëtare të Skive largmin nga Shqipëria. Mirëpo diçka e tillë duhet bërë me miratimin edhe të palës shqiptare, pasi në të kundërt skiatorja do qëndronte një vit pushim nëse largohet pa leje.
Shkrimi i Sky:
Botërori i Skive sapo ka përfunduar. Imazhet e gëzimit të Federica Brignone me Kupën e kampiones në dorë dhe ato të dhimbjes për dëmtimin e saj janë ende në sytë e të gjithë Italisë. Por siç ndodh në të gjitha sportet, sapo përfundon një sezon, hapet merkato për sezonin e ardhshëm. E në qendër të thashethemeve të tij tashmë është Lara Colturi.
Vajza e Daniela Ceccarelli dhe Alessandro Colturi, thuhet se i ka kërkuar FIS, Federatës Ndërkombëtare të Skive, që të ketë dritën e gjelbër për të ndryshuar federatë dhe të konkurrojë për Italinë. Rregullorja thotë se kalimi nga një komb në tjetrin mund të bëhet deri në 1 majin e ardhshëm, por për këtë duhet një marrëveshje midis kombeve të përfshira, si për Federatat ashtu edhe për Komitetet Olimpike.
Në praktikë, nëse Shqipëria jep miratimin e saj, Lara Colturi mund të konkurrojë për Italinë vitin e ardhshëm pa humbur pikë të çmuara të FIS. Pa këtë marrëveshje, 18-vjeçarja do të detyrohej të vazhdonte garat për Shqipërinë, ose të ndalonte për një vit, hipotezë që sigurisht nuk ka gjasa të ndodhë duke qenë se do të jetë viti i Olimpiadës 2026 në Milano-Cortina.
Lara Colturi këtë vit vjen nga tre podiume në Kupën e Botës; dy vende të dyta në sllallomin gjigand dhe një të tretë në sllallom, duke përfunduar e teta në renditjen e përgjithshme të Kupës së Botës. Arsyet që e kanë shtyrë skiatoren piemonteze t’i kërkonte FIS ndryshimin e federatës, lidhen me ato kontraktuale dhe ekonomike. E për momentin, asnjë koment, konfirmim apo mohim nuk ka dalë as nga qarqet e Federatës Italiane.