Sot kryetari i PD-se, Lulzim Basha nxorri serish zëdhënësen e tij të akuzonte Bashkinë e Tiranës për ndërtime në zonën e Gardes, por në fakt e verteta duket ndryshe. 6 vjet me pare ai vetë, pra Basha, ka parashikuar betonizimin e parkut te liqenit.
Përkundër deklaratave të zëdhënëses së PD, pak ditë më parë Bashkia e Tiranës sqaroi se zona TR 169 pranë zonës së Gardës së Republikës, me planin e ri urbanistik i është kthyer Parkut të Liqenit ku nuk lejohen më ndërtime.
Nderkaq, me planin e mëparshëm të Lulzim Bashës, kjo zonë ishte planifikuar për zhvillim te plote, ku pritej që të ndërtoheshin godina banimi dhe biznesi.
Siç mund të shikoni edhe nga dokumenti, në vitin 2012 Lulzim Basha firmosi Planin e Përgjithshëm Vendor të Bashkisë së Tiranës, duke i hapur rrugë në këtë mënyrë edhe ndërtimeve në zonën e Gardës së Republikës, njësia 5/27. Pikërisht, për këtë zonë, Basha kishte filluar edhe procedurat me institucionin që e kishte nën administrim këtë territor, që të ndryshonte pronësia e tokës dhe ajo t’u kthehej ish-pronarëve. Këtyre të fundit, në planin e firmosur nga Basha, u njihej e drejta që pas marrjes së pronësisë, ta përdornin tokën në zonën e Liqenit që është dhe një nga mushkëritë e kryeqytetit, për ndërtime të përziera si banim dhe dyqane e lokale.
Pas vitit 2015, Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë projektesh për shtimin e hapësirave publike gjithëpërfshirëse në funksion të rritjes së cilësisë së shërbimit ofruar falas qytetarëve ku vlen të përmendet Këndi i Lojërave, Këndet e Forcës, Fushat Multisportive, rikonstruksioni i Amfiteatrit të Hapur, si edhe bisedkat, çezmat dekorative, stola, kosha, ndriçim, rrjet rrugor, etj.
Investimet e realizuara nga Bashkia e Tiranës këto tre vite dhe prishja e ndërtimeve pa leje që kishin mbirë aty në vitet 2011-2015, kanë bërë që Parku i Liqenit të jetë sot një nga hapësirat më të gjelbëruara duke u kthyer në një destinacion për të gjithë grupmoshat.