Analisti Andi Bushati tha në emisionin “Shock” për z. Basha se ky i fundit duhet të japë domosdoshmërish dorëheqjen pas humbjes në zgjedhjet elektorale të 25 prillit.
“Pa dyshim që Basha duhet ta japë dorëheqjen, një ditë më shumë brenda selisë së PD-së është një ditë më shumë lolo në krye të PD-së.
Basha ka përgjegjësinë që i kishte premtuar shumicës së shqiptarëve anti Rama se do i ruante këto zgjedhje”, u shpreh z. Bushati.
Andi Bushati këmbënguli se pavarësisht se mund të mos jetë vetëm faji i z. Basha për humbjen e zgjedhjeve, gjithsesi ky i fundit duhet të kërkojë dorëheqjen pasi ka rënë në kundërshtim me vendimet e tij.
“Ti nuk mund të lësh parlamentin duke thënë që Edi Rama nuk mundet me votë dhe pastaj pas 2 viteve të pretendosh se Rama mundet me vonë.
Mua Basha më duket si roje i pafajshëm magazine që nuk e ka ruajtur magazinën, por dhe kur ti nuk faj se ta kanë vjedhur, vetëm se nuk e ruajte dot ik në shtëpi”, tha z. Bushati.
Baton Haxhiu, nga ana tjetër, tha se personi i cili duhet të japë dorëheqjen brenda PD-së nuk është Lulzim Basha, por Sali Berisha.
“Dorëheqja e parë që duhet të ndodhë në PD është dorëheqja e Sali Berishës”, u shpreh z. Haxhiu.
Dy analistët patën të njëjtin mendim në lidhje me fjalimin e kryetarit të PD-së që u mbajt sot. Andi Bushati dhe Baton Haxhiu thanë për z. Basha se ky i fundit nuk mbajti një qëndrim, gjë që nuk i takon një lideri.
“Fjalimi i Bashës ishte qesharak. Nuk ka lider në një vend normal i cili del pas zgjedhjeve nuk mban qëndrim. Kush do të ishte qëndrimi? I njoh apo nuk i njoh këto zgjedhje? Do të jem pjesë e parlamentit të ardhshëm apo jo?”, tha Andi Bushati
“Deklarata e Lulzim Bashës ishte pak problematike. E para, lideri duhet ta ketë një qëndrim, për veten. Në një moment ku thotë se zgjedhjet janë demokratike në orët e vona të dielës, nuk guxon ta ketë ndryshimin e gjuhës në momentin kur mëson humbjen.
Prej masakrës elektorale, prej shit-blerjes së votave etj., kur i thua këto fjali dhe nuk një qëndrim për veten dhe ato që do të ndodhin kjo është problematike”, tha Baton Haxhiu.