Qytetarët shqptarë tashmë vetëm me anë të një telefonate në drejtorinë e nënshtetësisë në Ministrinë e Brendshme, mund të marrin informacionin e nevojshëm, mbi fazën e marrjes së pasaportës greke.
Lajmin është bërë publik nga ndërmjetësi kulturor në Ministrinë e Emigracionit, Fatos Malaj, për GSH.
Malaj thekson se me krijimin e zyrës së shërbimit telefonik, e cila ka filluar funksionimin e saj prej ditësh, qytetarët do të informohen lidhur me ecurinë e kërkesës për natyralizim.
Marrja e nënshtetësisë
Prej kohësh Greqia ka lehtësuar procedurat e marrjes së nënshtetësisë greke për qytetarët shqiptarë.
Malaj tregon se procedura për kryerjen e shkëputjes nga leja e qëndrimit mund të kryhet automatikisht.
Kujtojmë se më parë emigrantët duhet të bënin shkëputjen në Qëndrën e Emigracionit, në mënyrë që të merrte nënshtetësinë, procedurë kjo e cila zgjaste 2-3 javë.
Sipas Malajt, leja e qëndrimit u kushtonte shumë njerëzve, sidomos studentëve, të cilët për shkak se nuk siguronin dot në kohë dokumentet e nevojshme, mund të humbnin edhe studimet. Ata nuk mund të paraqiteshin direkt në zyrat e emigracionit, por më parë duhej të linin një takim, i cili mund të realizohej edhe pas disa muajsh.
Ndërkohë përsa i përket mbajtësve të “kartës së homogjenit”, duhej të paraqiteshin në polici për ti anuluar ato. Fatos Malaj ishte i pari që përcolli këtë shqetësim dhe me mbështetjen e Ilias Hronopulos, arriti ta bindte administratën greke për ndryshimin që duhej të bënte.
Malaj thotë më tej se janë lehtësuar procedurat edhe për ata persona që kanë jetuar ilegalisht në shtetin helen për më shumë se shtatë vite dhe dëshirojnë të marrin leje qëndrimi. Këta persona mjaftojnë të dorëzojnë vetëm vërtetimin që prej shtatë vitesh jetojnë në Greqi.
Procedura dhe kriteret
Si mund të merret nga të gjithë nënshtetësia Greke:
Nëse jeton 7 vjet ligjërisht në Greqi
Nëse jeton 3 vjet rresht në Greqi dhe ke ardhur nga një vend i Bashkimit Europian
Nëse je homogjen
Nëse je refugjat politik
Nëse ke buletin personi pa shtetësi
Nëse ke një fëmijë, i cili është shtetas grek
Kërkesat formale për marrjen e shtetësisë greke me natyralizim
Ju duhet të jeni në moshë madhore në kohën e deklarimit të natyralizimit.
Të mos jeni dënuar me burgim të parevokueshëm (përfundimtar), të paktën një vit në dekadën e fundit.
Të mos jetë në pritje një vendim deportimi (apelasi) kundër jush.
Të kemi titull qëndrimi të ligjshëm.
Të dhënat
Të interesuarit mund të klikojnë në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, ku duhet të klikojnë shërbimin ku e kanë dorëzuar aplikimin në bazë të qarkut, numrin e dosjes, emrin, mbiemrin, si dhe të shkruajnë simbolet e verifikimit në fund fare e pastaj shtypin “ANAZITISI”