Siç u bë e njohur nga AMA gjatë muajit gusht 2025, televizionet kombëtare kanë pasur 90 për qind të lajmeve për Berishën dhe 5 për qind për PS, ndërsa pjesa tjetër për partitë e vogla.
Ky është suksesi më i madh që ka arritur ndonjë shef shtypi në botë duke qenë në opozitë – i tha Lelo, Mulit. – Për këtë meriton një shpërblim.
Ma shpjego pak më qartë – i tha Muli.
Asnjë opozitë në botë nuk mund të arrijë të marrë 90 për qind të kohës televizive. Ne e kemi arritur falë strategjisë sime.
Kjo qenka e mahnitshme – tha Muli. – Po si ja ke arritur?
Përmes një teknike shumë të hollë. Gjatë muajit gusht u vura gjithë ministrave, përfshirë edhe Edi Ramën, spiunë nga pas për të parë ku pushonin.
Ata pushonin në jug kryesisht. Atëherë unë i thosha Doktorit: sot dil në seli se gazetarët nuk kanë çfarë lajme të bëjnë. U çoja gazetarëve sms: dilni se po shkon Doktori tek SHQUP. Dilnin ata e bënin lajme. Pastaj pyesnin ku janë këta të qeverisë. Unë i gënjeja: u thosha janë në Velipojë, janë në Valbonë, janë në Theth. Shkonin këta e gjenin plazhistë. E sabotova komplet Edi Ramën.
Kjo qenka fitore e madhe – tha Muli. – Sa pikë na ka rritur në elektorat, çfarë thonë sondazhet?
Sondazhet na dolën keq – tha Lelo.
Po si ka mundësi, kur kemi marrë 90 për qind të kohës televizive dhe jemi prapë keq?
Sepse kjo ka avantazhuar qeverinë, se nuk i ka dalë para syve popullit dhe nuk e ka marrë inat. Kanë marrë inat vetëm Doktorin.
Po pse nuk thua që paske bërë punën e Edi Ramës – i tha Muli. – Ai na paska lënë gjithë kohën neve të na prishë punë.
Jo – tha Lelo. – Marrja e kohës është një fitore e imja personale. Pastaj cilësia e përdorimit të kohës duhet parë, se atë e ka përdorur 100 për 100 Doktori dhe zonja Karo nga Borshi. Këtu duhet të punojmë më shumë.