Komisioni Europian i është përgjigjur letrës së Presidentit Meta në lidhje me ngërçin që ka me maxhorancën për emërimin e anëtarëve të gjykatës Kushtetuese. Komisioni pranon se ekziston një mosmarrëveshje për një prej gjyqtarëve të fundit të emëruar, për shkak të një interpretimi të ndryshëm të procedurës së emërimit nga Presidenti i Republikës, ndërsa shton se Komisioni i Venecias do të lëshojë një opinion mbi këtë çështje gjatë këtij muaji.
Në fund, Komisioni shprehet se ata nuk po komentojnë mosmarrëveshjet mes autoriteteve në Shqipëri duke theksuar se presin mendimin e Komisionit të Venecias.
Më parë, Presidenti Meta i dërgoi një letër komisionerit Varhelyi duke i shprehur shqetësimin për situatën e krijuar me maxhorancën për emërimin e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, që sipas tij ndikonte në hapjen e negociatave.
Për këtë letër reagoi edhe kryeministri Edi Rama i cili shkroi: “Për herë të parë që nga krijimi i Bashkimit Europian një president çon letra në Bruksel për të minuar urën mes Europës e vendit të tij! Për herë të parë në historinë e zgjerimit të BE një vend kandidat ka Brukselin PRO dhe Presidentin e vet KUNDËR vendit e KUNDËR vetë Brukselit..
Sa nisi terapia intensive e Reformës në Drejtësi Shqipëria nisi dhe reaksioni me temperatura të larta në organizmin e shtetit të sëmurë prej kancerit të korrupsionit!Përpëlitjet e ethshme me bojkote, molotovë, dekrete janë thjesht pasoja të intensitetit të terapisë mbi kancerin..
Shqipëria mund ta marrë mund të mos e marrë PO-në që meriton nga Këshilli Europian,po ama kurimi deri në fund i sëmundjes dërrmuese që i ka ngrënë trupin e shpirtin prej 30 vjetësh,as mund dhe as do ndalet dot me kriza të turpshme të provokuara nga terapia e Reformës në Drejtësi!”