Nga Adriatik Doçi
Intensifikohen kërkesa dhe zërat për goditjen dhe rrëzimin e ligjit të Vetigut, i cili po pastron drejtësinë shqiptare nga gjyqtarët dhe prokurorët me pasuri të pajustifikuara, të lidhur me krimin dhe të paaftë profesionalisht, duke prerë fijet e zeza mes politikës dhe gjyqësorit, në kuadër të reformës në drejtësi.
Gjyqtari i Apelit në Durrës Tritan Hamitaj, ish-anëtar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i ka kërkuar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, të dërgojë ligjin e Vetingut në Gjykatën Kushtetuese.
Kërkesa vjen pas apelimit të ish-ministrit të Drejtësisë së LSI, Ylli Manjani, i cili në fund të muajit shtator 2020, bëri thirrje për të ndaluar urgjentisht procesin e Vetingut.
Tritan Hamitaj u shkarkua nga detyra me vendim të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, me shumicë votash, në 17 shtator 2020, vetëm për kriterin e pasurisë.
Gjyqtari e ka ankimuar vendimit në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, duke paraqitur gjashtë kërkesa; rrëzimin e vendimit të KPK, pezullimin e gjykimit dhe dërgimin e çështjes në Gjykatën Kushtetuese për shfuqizimin e nenit 61/3 të ligjit të Vetingut, rrëzimin e hetimit dhe procedurave nga shkalla e parë e Vetingut, korrigjimin e gabimeve procedurale të vendimit të KPK si dhe një hetim nga fillimi për të tre kriteret.
Pika në ligjin e Vetingut që gjyqtari kërkon që të shfuqizohet parashikon që organet e Vetingut mund të shkarkojnë gjyqtarin apo prokurorin nga detyra “3. Kur rezulton se ka bërë deklarim të pamjaftueshëm për kriterin e kontrollit të figurës dhe pasurisë”.
Ligj i Vetingut është konfirmuar si i ligjshëm në çdo germë nga Komisioni i Venecias dhe më pas nga Gjykata Kushtetuese, para se të boshatisej. Për të sabotuar, rrëzuar dhe deformuar këtë ligj, i cili sipas SHBA-BE duhet të merret si shembull edhe nga vendet e tjera, ka pasur përpjekje të vazhdueshme prej katër vitesh.
Në vjeshtën e vitit 2016, Partia Demokratike kërkoi rrëzimin e ligjit të Vetingut në Gjykatën Kushtetuese. Betejës së PD-së iu bashkuar edhe Unioni i Gjyqtarëve.
“Qëndrimi i Asamblesë së Unionit të Gjyqtarëve të Shqipërisë është se ligji për vetingun ka papajtueshmëri me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, dhe, për pasojë do t’i kërkojë Gjykatës Kushtetuese shfuqizimin e këtij ligji”, thuhet në një deklaratë zyrtare të Unionit në nëntor të 2016.
Gjykata Kushtetuese vendosi pezullimin dhe zbatimit ligjit të Vetingut më 25 tetor 2016, ndërsa vendosi t’i drejtohej Komisionit të Venecias, për të marrë një opinion përfundimtar. Me këto lëvizje, zbatimi i ligjit tw Vetingut u vonua 8 muaj, por përmbajtja e ligjit nuk u cenua./shqiptarja.com