Gjergj Bojaxhi, ndërsa ka komentuar rastin e fundit në Lezhë për tjetërsimin e pronave, ka sjellë ndërmend shembullin e pallatit të vjehrrit të Lulzim Bashës në Vlorë.
Ai thotë se një sipërfaqe e truallit,ku vjehrri i Lulzim Bashës kishte ngritur pallatin në Vlorë, ka qenë pjesë e detit.
I ftuar në emisionin e Ilva Tares, Bojaxhi tha se në dokumentet për ndërtimin e pallatit të vjehrrit të Bashës, përveç sipërfaqes shkëmbore , pjesë e pronës ishte edhe një hapësirë ujore në det.
“Pa dashur që ta lidh me kryetarin e PD, do marr rastin e pallatit që u shemb në Vlorë. Aty u fitua e drejta në Strasburg.
Shkelja është se si ajo është kthyer në një pronë.
Në vitin 2011, kur unë kam bërë kallëzim për atë pronë, kemi marrë hartat e pronës dhe i kemi mbivendosur.
Gjysma e pronës ishte ujë.
Nuk po flas për shkëmbin që e rrahin dallgët.
Kemi të bëjmë me një pronë ku gjysma ishte ujë, dhe një gjysmë shkëmbi njihet si tokë pronë.
Edhe në Lezhë, mos mendoni se e kanë zaptuar bregun për të mbjellë domate? Jo! Për hotele.
Në rastin më të mirë kemi burra që heshtin dhe në rastin më të keq njerëz të bashkëpunojnë”, tha Bojaxhi.(TemA)