Para disa ditësh çifti presidencial Meta – Kryemadhi u çfaq në media me një foto të realizuar në Amerikë. Burrë e grua me Biblën në dorë, dhuratë nga një përfaqësues i lartë fetar, në foto edhe ai i pranishëm me bashkëshorten. Qartazi me këtë foto ata kërkonin që të transmetonin në sytë e shikuesve një mesazh.
Se çifti presidencial Meta-Kryemadhi kanë filluar t’a urrejnë mëkatin dhe i janë drejtuar rrugës së Zotit. Kanë ndjekur këshillën biblike që thotë se Bibla nuk na është dhënë për informimin por për transformimin tonë. Dhe çifti presidencial dëshminë e këtij transformimi e kanë manifestuar në prani të çiftit të lartë klerikal në qëndrën e botës, në Amerikë.
Tepër e bukur për t’u marrë e vërtetë. Mendoj se shqiptarët nuk janë në atë shkallë naiviteti që të gëlltisin mesazhe të tilla. Nuk thonë kot se është e vështirë të bësh që njerëzit e paturpshëm të ndjehen të turpëruar.
Politikanët e lartë shqiptarë dy herë në vit në raste festash të mëdha fetare vizitojnë kryeqëndrat e kultit në Shqipëri dhe këshilla e parë që marrin e që nuk duhet t’a harrojnë, se Librat e shënjtë duhet të jetë si bukë për përdorim të përditshëm, jo si tortë për raste të veçanta. Ky mendim të vjen menjëherë kur shikon foton dhe hipokrizinë presidenciale.
Të paktën në atë pozim të mirë menduar të ishin të vërtetë si shqiptarë, të ishin të sinqertë me besimin e tyre fetar, duke mbajtur në duar njëri Biblën dhe tjetra Kuranin.
Në avion gjatë kthimit mbas vizitës në Tiranë në intervistën para gazetarëve pyetjes së një gazetareje mbi tolerancën fetare në Shqipëri Papa Françesku iu përgjigj: “Jo, nuk është tolerancë, është Vllazëri Fetare”, duke e ngritur këtë fenomen unikal shqiptar në vlerë universale të popujve të botës.
Të kujtohesh për Biblën mbas 30 vjetësh në politikë dëshmon atë që pohonte presidenti amerikan Abraham Linkoln: “Tragjedia e jetës është se ne plakemi shumë shpejt dhe na vijnë mendtë shumë vonë”. Çiftet tona presidenciale janë familjarisht në hall me peshë të rëndë.
Si duket bashkëshortët Meta-Kryemadhi mbas konsultimesh socio teologjike kanë zgjedhur që të bëjnë dalje dhe largim nga skena politike në formë të butë. Sepse Bibla në duart e tyre me mësimet e saj në këto 2-3 shekujt e fundit ka treguar se është doktrina teologjike më e përshtatëshme për ulje të buta, me anë kompromisesh të kënaqshme për çdo palë.
Por në rastin e tyre dhe koha do e tregojë se çifti Meta-Kryemadhi dhe Berishajt hallin e kanë fryrë aq shumë sa mendoj se mëkatet e tyre kanë vënë në lëvizje një mekanizëm më të ashpër ndëshkimi, që shkon paralel me masën e fajit. Të gjitha fetë si temë qëndrore kanë mëkatin dhe ndëshkimin. Kur vjen puna te mëkati dhe ndëshkimi kultura dhe historia perëndimore, veçanërisht ajo amerikane, kanë si pikëmbështetje konceptin e paraqitur në një libër që pak kohë më parë festoi 700 vjetorin e botimit.
Fjala është për poemën epike “Komedia Hyjnore” të Dante Alighieri. “Komedia Hyjnore” është e botuar në të gjithë botën, por ka një veçori se në botën anglisht folëse është përkthyer e botuar më shumë se 100 herë në 100 vjetët e fundit. Shkrimtari nobelist Jorge Luis Borges ka thënë se: “Komedia Hyjnore është libri më i mirë që letërsia ka realizuar ndonjëherë”, ndërsa TS Eliot përmblodhi ndikimin e saj kështu:
“Dante dhe Shekspiri ndajnë botën midis tyre. Nuk ka asnjë të tretë. Në vazhdën e këtyre vlerësimeve qarkullon si gojëdhënë një detaj gjatë ndërrimit të pushtetit në Shtëpinë e Bardhë midis Presidentit Ronald Regan dhe George Bush. Duke hedhur vështrimin te Bibla në duart e Barbara Bush, pas një psherëtime Regani tha: “Shpesh me keqardhje kam menduar për Niksonin gjatë presidencës.
Do ishte shpëtuese për atë në rast se në zyrën Ovale krahas Biblës do të mbahej dhe Komedia Hyjnore. Bibla është forma e jetës, Komedia hyjnore është forma dhe përmbajtja”. Ndoshta këtë detaj Regani e kish zgjedhur si këshillë për pasardhësin! Me rastin e 700 vjetorit të Dantes shtëpia botuese “Onufri” botoi të plotë, me parathënie të shkrimtarit Ismail Kadare librin “Komedia Hyjnore”.
Me këtë libër botuesi Bujar Hudhri si misionar i kulturës nderoi lexuesit shqiptar dhe veten, lartësoi kulturën shqiptare. Botimi kaloi si rëndom botimet e tjera, pa ndonjë festim mediatik. Aq sa u duk sikur me botimin e Dantes botuesi “kish bërë një mëkat”. Këtë e mendoj kështu sepse 2 vjet më parë u botua libri “Blloku” me autor Isuf Kalo, ish mjeku i diktatorit Enver Hoxha.
Presidenti Ilir Meta e thërriti autorin në Presidencë, pinë kafe në lulishte, biseduan dhe me librin në duar pozuan për gazetat. Kjo nuk ndodhi me rastin e botimit të Komedisë Hyjnore. Përse kjo mungesë vëmëndjeje? Presidenti Meta është i përbetuar për Kushtetutën e Republikës. Ai e di edhe pse nuk e ka lexuar që egziston edhe një “Kushtetutë e ligjeve morale të njerëzimit”, Komedia Hyjnore. /Nga Minella Aleksi