Presidenti francez, Emmanuel Macron, ka reaguar pas një takimi të tensionuar mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij ukrainas, Volodymyr Zelensky, i cili përfundoi pa arritjen e një marrëveshjeje për mineralet e rralla.
Pas përfundimit të takimit, Macron shkroi në Twitter: “Rusia është agresori dhe Ukraina është viktima e agresionit. Ishim të drejtë kur e ndihmuam Ukrainën dhe vendosëm sanksione ndaj Rusisë tre vjet më parë – dhe duhet të vazhdojmë ta bëjmë këtë.”
Shtëpia e Bardhë mohoi raportimet se presidenti Zelensky u largua pas një debati të ashpër me presidentin Trump, duke deklaruar se ishte Trump ai që përzuri Zelenskyn.
Një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë tha për Fox News se “Presidenti Trump vendosi t’i japë fund takimit pasi nuk u arrit një konsensus mbi marrëveshjen e propozuar.”
Takimi kishte për qëllim arritjen e një marrëveshjeje që do t’i siguronte SHBA-së qasje në mineralet e rralla të Ukrainës, në këmbim të ndihmës ekonomike prej 500 miliardë dollarësh. Megjithatë, presidenti Zelensky refuzoi propozimin, duke deklaruar se “nuk mund ta shesë vendin e tij” dhe se ishte i gatshëm të punonte për një “dokument serioz” vetëm nëse SHBA do të jepte garanci sigurie.
Ky zhvillim vjen në një kohë kur administrata Trump ka ndryshuar politikën e saj ndaj Ukrainës, duke i dhënë fund izolimit mbi trevjeçar që u nxit nga agresioni i paprovokuar i Rusisë.
Analistët vlerësojnë se dështimi i këtij takimi mund të ndikojë në marrëdhëniet SHBA-Ukrainë dhe në përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit me Rusinë.
Ministrja e Jashtme gjermane në detyrë, Annalena Baerbock, në emër të shtetit gjerman, ka lëshuar një mesazh mbështetje për presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky dhe për popullin ukrainas, pas takimit të tensionuar me presidentin amerikan Donald Trump, i cili përfundoi me anulimin e një marrëveshjeje të parashikuar për mineralet e rralla.
Përmes një publikimi, Ministria e Jashtme gjermane shkruan:
“Ukraina nuk është e vetme dhe evropianët qëndrojnë të bashkuar në krah të saj.
Ukraina mund të përfitojë nga mbështetja e palëkundur e Gjermanisë dhe Evropës”.
Më herët, ka reaguar edhe presidenti francez, Emmanuel Macron, i cili po ashtu tregoi mbështetjen e tij për Zelenskyn dhe sakrificën e ukrainasve.
Macron, menjëherë pasi takimi u përmbyll, shkroi: “Rusia është agresori. Ukraina është populli që është sulmuar. Ne duhet t’i respektojmë ata të cilët kanë luftuar që nga fillimi”.
Kryeministri i Polonisë, Donald Tusk, i ka dhënë mbështetje publike presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky, pas takimit të tensionuar që ky i fundit ka pasur me presidentin amerikan, Donald Trump, dhe zëvendëspresidentin e tij, J.D. Vance, në Shtëpinë e Bardhë.
Tusk e ka shprehur mbështetjen përmes një postimi të shkurtër në rrjetin social “X”:
“Të dashur miq ukrainas, ju nuk jeni vetëm,” ka shkruar ai.