Ligji për magjistratët duket se ka futur “përçarjen” brenda kampit të LSI. Pas braktisjes së seancës plenare dhe thirrjes së Taulant Ballës ndaj opozitës për të dhënë konsensus në lidhje me projektligjin që ka të bëj me emërimet e magjistratëve, kreu i grupit parlamentar i LSI, Petrit Vasili ripërsëriti dje deklaratën se nuk do të ketë konsensus me qeverinë.
Përmes një postimi në “Facebook”, Vasili e akuzoi qeverinë se po luan lojën e kungulleshkës me ligjin e magjistraturës. “Rilindja luan kungulleshkën me ligjin e magjistraturës. Rilindja sot e bëri të qartë që Reforma në Drejtësi për të është asgjë më shumë se një pazar i rëndomtë njerëzish të rëndomtë. Propozoi Rilindja një ligj që jepte fuqi kuvendi të vendoste për shkollën e magjistraturës për 2 vjet.
Pastaj në komisionin e (anti)ligjeve ditën e fundit me logjike ordineresh e bëri pa afat, ulëriti dhe medemek e argumentoi dhe e votoi. Sot rilindja propozon për një vit. Me Kungulleshke do ta bëjnë drejtësinë”, tha Vasili. Kreu i grupit parlamentar i LSI, Petrit Vasili deklaroi se mazhoranca e kthyer reformën në një plaçkë tregu. Sipas tij, LSI beson vetëm tek parimet e komisionit të Venecias dhe tek konsensusi i 21-22 korrikut.
“Ky është qëndrimi i turpshëm i një mazhorancë pazarxhinjsh që Reformën në Drejtësi e ka thjesht një plaçkë tregu dhe qëllimin e vetëm kapjen e drejtësisë. Cili njeri serioz mund të pranojë një politikë të tillë, që ndërron sipas hallit pozicion tre herë. Kur thotë pra të vërtetën dhe kur gënjen rilindja? Po argumentet që rilindja dha në komisionin e (anti)ligjeve, kur hoqën çdo limit kohe dhe votuan si bandite ku shkuan, apo i harruan sikur s’ka ndodhur asgjë?
LSI ka votuar Kushtetutën dhe shtatë ligjet duke besuar të Konsensusi në 140 vota dhe tek Komisioni i Venecias dhe jo tek Rilindja që donte një reformë në drejtësi me vota të blera. LSI beson vetëm tek parimet e Komisionit të Venecias dhe tek 21-22 korriku gjithçka jashtë tyre është riciklimi i pisët i drejtësisë së vjetër, por të kapur sot fort në grusht nga rilindja”, tha ai. Por pavarësisht kësaj deklarate të bërë nga Vasili, ajo çka bie në sy është se LSI ka filluar të “përçahet” sa i takon ligjit për magjistratët. Nënkryetari i LSI, Luan Rama ka zhvilluar dje një takim kokë më kokë me kreun e grupit parlamentar të PS, Taulant Balla për rreth 20 minuta.
Edhe pse nuk u dhanë detaje, sipas informacioneve, fokusi i diskutimeve ishte sa i takon konsensusit për projektligjin e magjistratëve. Pra duket se LSI ka nisur kontaktet me PS dhe se në seancën e të hënës mund të jap konsensus gjatë votimit./sot