5 deputetë të Kuvendit të Shqipërisë do të lënë mandatin për të garuar në 14 maj për kryetarë bashkie. Për të plotësuar vendet vakante, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka nisur procedurën e dërgimit të formularit të vetëdeklarimit për emrat potencial që do t’i zëvendësojnë.
Demokrati Zef Hila që garon në Vaun e Dejës pritet të zëvendësohet nga Ludovik Hasani, socialisti Besnik Ajazi në Gramsh do të zëvendësohet nga Shkëlqim Bullari. Ish-deputeti Asllan Dogjani pritet të rikthehet sërish në Parlament pasi Belind Këlliçi po garon në Tiranë.
Në Elbasan, siç është paralajmëruar me kohë, Qani Xhafa ka pranuar të marrë mandatin e deputetit pasi Luçiano Boçi ka nisur fushatën për kryebashkiak në këtë qytet. Çudia ka ndodhur në Shkodër.
Ish-ministri i Shëndetësisë, aktualisht drejtuesi i Agjencisë së Donacioneve të Huaja, Ilir Beqaj nuk ka pranuar mandatin e deputetit të lënë nga Benet Beci, i cili do garojë në Shkodër. Ish-ministri nuk ka plotësuar formularin e vetëdeklarimit që ia ka dërguar KQZ.
Në këtë situatë, pritet që Frrok Gjini, i cili u rendit pas Beqajt me vota në listën e Shkodrës pas zgjedhjeve parlamentare të 25 prillit 2021, të zërë vendin e Benet Becit.