Nga Bledi Mane
I forti i lagjes, gangsteri i rrugës, zaptuesi i plazhit, influencuesi i instagramit…të gjithë ne kërkojmë me patjetër të biem në sy e të dominojmë me forcën tonë. Pushteti për disa është mbrojtje, për disa orgazëm. Njihuni me më të fortët e këtij viti, e këtij vendi:
1. Juri Kim
Gruaja e hekurt, diplomatja amerikane e pakompromistë, çekani i hekurt i rëndë që godet ku dhe kur duhet mbi kokat e nxehta të politikës dhe krimit shqiptar. Tutorja strikte e vazhdimit të reformës në drejtësi.
2. Bosh
3. Bosh
4. Edi Rama
Ka grumbulluar në duart e tij gjithë pushtetet dhe kontrollon gjithçka brenda territorit të Republikës së Shqipërisë me përjashtim të Ambasadës Amerikane te rruga e Elbasanit.
5. Rexhep Taip Erdogan
Sulltani i Turqisë moderne me fuqinë e gjeopolitikës ka impakt të llahtarshëm mes shqiptarëve në Kosovë, Maqedoni e Veriut dhe Shqipëri. Influenca e tij dhe lidhjet e forta me sunizmin, biznesin dhe politkën e Tiranës e bëjnë një ndër të huajt me më shumë ndikim në vendin tonë.
6. Anastas Janullatos
Kreu i komunitetit ortodoks shqiptar ka pritur e përcjellë dhjetra e dhjetra qeveri në Greqi e Shqipëri por vetë qëndron i patundur jo vetëm si urë e ndërtuar dhe e prishur mes dy vendeve por edhe si shërbëtor influencash jo vetëm religjioze.
7. Erion Veliaj
Kryetar i qeverisjes më të madhe lokale në vend, njeriu që kontrollon dhe menaxhon taksat dhe mbarëvajtjen e jetës komunitare të 1 milionë banorëve.
8. Arben Ahmetaj
Tigri i financave shqiptare, mastermind i kryeministrit Rama për ekonominë vendase me lidhje të forta në organizma ndërkombëtare financiare nga Lindja e Mesme deri në Washington tregoi edhe një herë fuqinë e tij vecanërisht në konferencën e donatorëve post tërmetit ku Shqipëria siguroi plot 1 miliardë euro ndihmë dhe kredi të buta.
9. Arbër Hajdari
Aktivist “kokëfortë” i shoqërisë civile, menaxher i shkëlqyer i donacioneve private, drejtues i fondacionit më të madh mbarëshqiptar “Fundjavë Ndryshe”, model i aktivizmit të gjeneratës së re.
10. Samir Mane
Më i pasuri shqiptar, administrator i disa prej korporatave më të mëdha në vend. Taksapaguesi më i madh dhe punëdhënësi i rreth 7 mijë e 500 shqiptarëve, oksigjendhënës permanent i ekonomisë së Shqipërisë.
11. Sali Berisha
Opozita e plakur por e vetme politike në vend. I sakatuar tashmë nga ndërkombëtarër por inspirues në llojin e vet. Idhnak, dinak, “i pacipë”, energjik…
12. Aurela Basha
Ortake e opozitës shqiptare me 49% të aksioneve. Vendimarrësja në hije e punëve të Partisë Demokratike, jo vetëm gruaja e liderit zyrtar të opozitës por edhe mikluese e rafinuar e financave dhe interesave në familjen e saj.