Partia Demokratike e ka vendosur dje të katërtin në listën e kandidatëve për deputetë të qarkut të Lezhës. Por Kastriot PIROLI, tashmë demokrat, dikur në 2017, kërkonte të hynte në Parlament me listat e PS për ti zënë vendin Armando Prengës.
PIROLI u denoncua nga Partia Demokratike, dhe organi i saj Rilindja Demokratike si një person i kapur nga “Dekriminalizimi” kur do zëvendësonte Prengën.
Por si hyri një person subjekt i “Dekriminalizimit” nga lista e PS tek ajo e PD, në qarkun që drejton Mark Marku?
Le të hedhim një vështrim se çfarë shkruante gazeta RD për Kastriot Pirolin, tashmë demokrat i flaktë dhe i vendosur në pozicion të sigurt në Lezhë:
Artikulli është botuar në RD në 17 shkurt 2017:
Heqja e mandatit të deputetit socialist Armando Prenga i hap rrugën drejt Parlamentit një tjetër të inkriminuari nga listat e PS. Sipas listës së kandidatëve socialistë në zgjedhjet e 23 qershorit, emri që pason Prengën është Kastriot Piroli. Por Piroli rezulton të jetë gjithashtu me precedentë penalë. Ai është deklaruar fajtor nga Gjykata e Shkallës së Parë të Kurbinit për veprën penale të shpërdorimit të detyrës dhe falsifikim dokumentesh gjatë kohës që ishte në krye të Hipotekës së këtij rrethi.
Kastriot Piroli është arrestuar më 11 mars të 2015 dhe është liruar nga Gjykata e Kurbinit, me argumentin se e ka kryer dënimin për akuzat e ngritura gjatë periudhës së paraburgimit. Asokohe Prokuroria kërkoi tri vite burg për ish-drejtorin e Hipotekës së Kurbinit. Por vetë Piroli ka deklaruar se ka kryer vetëm dy muaj burg dhe se ndaj tij nuk ka një vendim të formës së prerë, për të cilën thotë se e ka në Apel.
Për sa kohë gjykata nuk e ka thënë fjalën e fundit për akuzat e ngritura ndaj ish-drejtorit të Hipotekës së Kurbinit, Kastriot Pireli mund të zërë vendin e Prengës në Parlament. Në rast se edhe Apeli e shpall fajtor, atëherë bazuar edhe në ligjin e dekriminalizimit, Kastriot Pireli do të duhet të ngrihet nga karrigia e deputetit dhe në vend të tij duhet të ulet pasuesi në listë që është Mirela Neli.
Ja çfarë deklaronte demokrati socialist Piroli:
Piroli: Mandati më takon mua, vetëm dy muaj burg kam bërë
Me arrestimin e Armando Prengës në shtator të 2015 mundësia për heqjen e mandatit të tij solli reagimin e parë të Kastriot Pirolit, i cili deklaronte se me kënaqësi do të ulej në karrigen e deputetit në Parlament, ndërsa akuzat që rëndojnë ndaj tij i cilësonte si të pamjaftueshme. Sipas tij “vetëm dy muaj burg kishte bërë”. I kontaktuar nga mediat asokohe, ai tha se vërtet ka bërë 2 muaj burg, por vendimi nuk është i formës së prerë sepse ai e ka ankimuar në Apel, ndaj mandati i Prengës i takon atij.
“Unë nuk jam tani në burg. Kam bërë 2 muaj burg nga arrestimi në mars për shpërdorim detyre. Pastaj gjykata vendosi lirim të menjëhershëm pasi kisha bërë burg mjaftueshëm. Unë nuk jam dënuar me vendim të formës së prerë, pasi çështja është në Apel. Në këto kushte, bazuar në Kushtetutë, mandati është i imi, dhe unë e pretendoj atë”, tha Piroli për “Shqiptarja.com”. Ai tha se për këtë çështje nuk ka diskutuar me kryetarin e PS-së, Edi Rama, e as nuk është thirrur nga KQZ-ja. “Nuk jam takuar me kryeministrin. Nuk isha në mbledhjen me strukturat e PS-së një ditë më parë, mbase ai do të më thërrasë në një moment të dytë, kur të mos ketë ngarkesë pune. Nuk kam marrë ndonjë njoftim as nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, por besoj do ta marr kur të vijë koha”, është shprehur Kastriot Piroli./ newsbomb