Ka përfundur ceremonia mortore e Papa Françeskut në sheshin Shën Pjetër, Vatikan, ku ishin të pranishëm afro 50 mijë besimtarë, mbretër dhe mbretëresha, 50 krerë shtetesh, 23 kryeministra, delegacione nga 160 vende, rreth 4000 meshtarë dhe të paktën 120 delegacione me përfaqësues fetarë nga e gjithe bota.
Arkëmorti i kreut të Kishës Katolike mbërriti nga Bazilika Shën Pjetri në Bazilikën e Shën Marisë së Madhe, ku do varroset, ndërsa qindra mijëra besimtarë (besohet deri në 1 milion) ishin të pozicionuar në trotuaret e rrugëve ku kaloi kortezhi.
Ceremonia e varrimit do të kryesohet nga kardinali Kamerlengo, Kevin Farrell, i cili do të kujdeset për çështjet e përditshme të Kishës deri në zgjedhjen e Papës së ri. Riti do të zhvillohet në mënyrë private.