Pas Italisë, Holandës, Belgjikës, Gjermanisë dhe Austrisë, shtohet lista e shteteve që kanë bllokuar fluturimet me Britaninë e Madhe, pas njoftimit se është shfaqur një lloj i ri i koronavirusit, deri në 70% më i transmetueshëm se i pari.
Franca u bashkua me Irlandën, Italinë, Hollandën, Belgjikën, Austrinë, Bullgarinë, Gjermaninë, Finlandën dhe Danimarkën në ndalimin e të gjitha fluturimeve që transportojnë pasagjerë drejt Britanisë për të paktën një periudhë 48 orëshe.
Izraeli, Turqia, Maroku, Kuvajti, Arabia Saudite dhe El Salvador më vonë ndoqën shembullin e tyre, ndërsa presioni po shtohej natën e kaluar në Shtetet e Bashkuara për të marrë masa pasi kryeministri kanadez Justin Trudeau tha se Kanadaja po vendoste një ndalim 72-orësh të udhëtimeve me Mbretërinë e Bashkuar.
Aeroporti Heathrow i Londrës ishte në kaos natën e kaluar ndërsa qindra pasagjerë mezi po prisnin fluturimin e fundit për në Dublin disa minuta para ndalimit të udhëtimit.
Boris Johnson do të kryesojë një takim të komitetit të urgjencës së Qeverisë Cobra sot pasi shumë vende fillimisht në Evropë dhe më pas në të gjithë botën njoftuan se po ndalonin fluturimet nga Britania e Madhe, pas zbulimit të koronavirusit të ri.
Varianti i ri i COVID, i zbuluar pak ditë më parë në Britaninë e Madhe ka ngjallur frikë në Europë, duke sjellë kështu dhe pezullimin e udhëtimeve. Zyrtarët shëndetësorë thonë se nuk ka ende asnjë provë që tregon se varianti i ri është më vdekjeprurës, ose do të reagonte ndryshe ndaj vaksinave. Varianti i ri i koronavirusit u identifikua më 13 dhjetor në komunën e Kentit në Anglinë e jugut dhe analizat fillestare të shkencëtarëve qeveritarë çojnë përfundimin se ky virus “po përhapet më me shpejtësi se variantet ekzistuese”.