Revista ‘Mother Jones’ pasi zbuloi lobimin rus të PD në SHBA, dje ka botuar një shkrim tjetër hulumtues ku hedh dyshime mbi burimin e parave të përdorura për këtë qëllim nga Lëvizja Socialiste për Integrim, LSI.
Për ish-ministrin për Marrëdhëniet me Parlamentin, Ilirjan Celibashi, i ftuar në ”Realstory” të gazetarit Sokol Balla vetëm vendosja e një autoriteti ligjor të pavarur për financimet politike do ishte zgjidhja e duhur për të hedhur dritë mbi deklarimet e partive, pasi, sipas tij, nuk kemi çfarë të presim nga një KQZ politike
“Nuk ka një mekanizëm kontrolli të besueshëm. Nëse këtë atribut ia lëmë kësaj KQZ-je politike, nuk kemi se çfarë të presim. Duhet vendosja e një autoriteti ligjor, të pavarur për financimin e partive politike. KQZ është e pabesueshmë dhe deklarimet e partivë për financat nuk janë të sakta”, tha Celibashi.
Celibashi deklaroi se debati për lobimet bëhet edhe në shtete të mëdha
“Debati për financimet dhe lobimet bëhet edhe në shtetë të mëdha. Amerika është vendi më liberal përsa i përket çështjeve të financimit të partive, por ka kontrolle më të rrepta dhe çdokush mund të ketë akses nëse ka dyshime”, deklaroi Celibashi.