Në komisionin e Ekonomisë po diskutohet projektligji për Lojërat e Fatit. Deputeti socialist Erion Braçe propozoi një sistem shtrëngues të ngjashëm me atë që aplikohet ndaj deputetëve në lidhje me të ardhurat dhe pasurinë edhe për organizatorët e Lojërave të Fatit.
Braçe po ashtu shtroi pyetjen a mund ta japë SPAK-u miratimin e fundit për organizuesit e Lojërave të Fatit. Ndër të tjera deputeti tha se qeveria duhet të japë përgjigje a është pro një platforme shtetërore unike për Lojërat e Fatit.
“Propozimet e mia në lidhje me dy shqetësime serioze në këtë aktivitet, e para është prezenca e krimit të organizuar në këtë sektor. Propozimet që kam sjellë lidhen me çkriminalizimin e këtij sektori. Nga ana sa ka sjell ligji nuk mendoj që janë të mjaftueshme që ky sektor të çkriminalizohet. E dyta që është problem dhe ka rëndësi ka të bëjë me demotivimin e njerëzve për të luajtur.
Në bixhoz fitojnë vetëm organizatorët, jo lojtari. Cilido program rehabilitimi të krijohet nga qeveria, nuk i mbron lojtarët më shumë se demotivimi për ta luajtur atë lojë. Interesi është që sa më shumë njerëz të demotivohen për ta luajtur lojën. Se sa më shumë ta luajnë aq më shumë humbasin.
Masa që demotivon njerëzit të luajnë duhet të ishte pjesë e ligjit. Do doja një përgjigje nga ana e qeverisë për një platforme shtetërore, nëse qeveria është pro apo kundër këtij propozimi. Krijimi i një pasqyre, ku ka akses organi shtetëror, është një lloj zgjidhje e ndërmjetme, por do doja të dija nga ana e qeverisë për propozimin që platforma të jetë unike e shtetit dhe të gjitha kompanitë ta aksesojnë, është pro apo kundër.
E dyta ka të bëjë me sistemin e taksimit të gjithë veprimtarisë së Lojërave të Fatit. Që ne të marrim nga çdo 100 lekë të luajtur, vetë 1,5 lekë, domethënë mua më duket se e gjithë kjo përpjekje kaq e madhe për t’i ligjëruar këto baste që janë në të zezë, është thuajse e papërfillshme, e mbi të gjitha kur ne në këto llogari duhet të pranojmë pretendimin e tyre, që në 100 lekë, ata shpërndajnë 90 lekë për lojtarin, që unë të pranoj këtë duhet të jem i çmendur. Propozimi im ka të bëjë me sistemin e taksimit. Unë dua të di nga qeveria është pro apo kundër. Ka një sistem të kontrollit të deputetit shumë shtrëngues të të ardhurave dhe pasurisë.
Po sikur këtë sistemin shtrëngues ta aplikojmë edhe për këta që duan të bëhen pjesë e organizimit të Lojërave të Fatit ka ndonjë problem?! Sikur të aplikohet ky sistemi i kontrollit që aplikohet për deputetët, ka ndonjë problem?! Të vetmet që shtrëngohen janë deputetët, a ka mundësi të shtrëngohen edhe disa të tjerë? A ka problem që kontrollin e fundit ta japë SPAK-u për këta që duan të organizojnë lojëra fati? Më ka rënë në vesh që miratimin e fundit për kazinotë në SHBA e jep FBI-ja”,- tha Braçe.